Shpresat kuqezi mposhtin Andorrën dhe nisin mbarë eliminatoret

04/06/2021 20:02

Kombëtarja Shqiptare U21 e nisi në mënyrë perfekte edicionin eliminator të Kampionatit Europian të kësaj grupmoshe, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 0-3 në transfertën ndaj modestëve të Andorrës.

Kuqezinjtë e kishin vlerësuar maksimalisht këtë transfertë dhe Alban Bushi kishte marrë edhe sulmuesin Armando Broja nga Kombëtarja e madhe, teksa ishte pikërisht futbollisti në pronësi të Chelsea-t që zhbllokoi sfidën në minutën e 17’.

Pas një kthimi mbrapa të gabuar nga ana e mbrojtësve vendas, Broja bëri një sprint të jashtëzakonshëm, duke “djegur” në shpejtësi disa kundërshtarë dhe i gjendur i vetëm me portierin, gjuajti saktë, duke dërguar topin në rrjetë.

Në minutën e 41-të ishte mesfushori i Ipswich Town, Armando Dobra që kombinoi mirë me Brojën, por u pengua nga kundërshtarët dhe arbitri kryesor i takimit nuk ngurroi të akordojë 11-metërsh për kuqezinjtë.

Nga pika e bardhë shkoi mesfushori debutues me shpresat, Anis Mehmeti, që gjuajti saktë në krahun e majtë të portierit, duke e mposhtur për herë të dytë këtë të fundit dhe duke shkuar në pushim të ndeshjes me avantazhin e dy golave.

Në minutën e 62-të ishte Karrica që u shërbye në thellësi dhe ktheu një top për Brojën në qendër të zonës, por aty ndërhyri mbrojtësi vendas Alvarez, që në tentativë për të larguar topin, e dërgoi për herë të tretë në rrjetë.

Më pas deri në fund të takimit rezultati mbeti i pandryshuar, me Shpresat kuqezi që menaxhuan mirë avantazhin dhe ruajtën energjitë, duke marrë edhe 3 pikët në ndeshjen e parë eliminatore të Europianit.

Top Channel