Miqësorja me Uellsin/ Reja analizon kundërshtarin dhe tregon referencat e formacionit

04/06/2021 19:54

Pasditen e së shtunës Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen miqësore me Uellsin në Cardiff.

Kuqezinjtë që kanë rezultuar të gjithë negativë në testet për Covid, janë përgatitur për këtë sfidë që sipas Edy Rejas nuk do të jetë e lehtë.

Edy Reja: Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne. Nuk e di kush do të zbresë në fushë nga Uellsi, duke qenë se luajtën një miqësore me Francën të martën. Mendoj që trajneri i tyre do të bëjë rotacion por ne jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë përballje. Do të fus skuadrën më të përgatitur në aspektin taktik. Pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi. Bëjnë një futboll shumë të mirë dhe të shpejtë. Mendoj që mbrojtja është pika më e dobët e tyre. Duhet të jemi të kujdesshëm që të luajmë me kundërsulme dhe ti zëmë në befasi.

Edy Reja foli edhe për formacionin që do të hedhë në fushë teksa vuri në dukje se ka shumë dyshime për repartin e sulmit.

Edy Reja: E kam vendosur si do të luaj, kam dyshime për sulmin, se kam lojtarë në formë të mirë. Për mesfushën nuk do ndryshoj shumë me Abrashin, Baren dhe Cekicin që ka shfaqur rendiment të mirë në Turqi. Në prapavijë kemi të zakonshmit Ismajli, Gjimshiti Kumbulla, ndërsa në krahë kam disa mundësi.

Për këtë ndeshje, në mungesë të Berishës dhe Hysajt, kapiteni i skuadrës do të jetë Amir Abrashi.

Sfida mes kombëtares shqiptare dhe Uellsit do të luhet në orën 18:00 të kësaj të shtune dhe do të transmetohet në platformën Digitalb

Top Channel