Në orët e para të mëngjesit është shpërndarë nga policia kampi i emigrantëve të parregullt në qytetin Calais në veri të Francës.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, duke postuar nga llogaria e tij në median sociale deklaratën e prefekturës së Pas-de-Calais, theksoi se me udhëzim dhe vendim të gjyqësorit është evakuuar një kamp i paligjshëm në Calais.
Në deklaratën e prefekturës thuhet se qindra emigrantë përfshirë edhe rreth 30 fëmijë janë nxjerrë nga policia nga vendi ku ata përpiqeshin të strehoheshin në hangarët në një hapësirë boshe në rrugën Saint-Omer Calais.
Më tej thuhet se emigrantët që jetonin në hangarë përbënin kërcënim për shëndetin publik, prishnin rregullin publik dhe se për kampin janë ankuar rreth 50 familje që jetojnë përreth.
Shtypi francez ka raportuar se prej dy ditësh janë shënuar përleshje mes policisë e cila përpiqet të evakuojë kampin dhe banorëve të tij.
Kreu i Këshillit rajonal Hauts-de-France në të cilën ndodhet edhe prefektura Pas-de-Calais, Xavier Bertrand dhe kryetarja e bashkisë Calais, Natacha Bouchart, mësohet se me qëllimin për të parandaluar riformimin e një kampi të madh emigrantësh në qytet, kanë bërë ankesë për personat që strehohen nëpër hangarë.
Në qytetin Calais i cili ndodhet në kufirin Belgjikë-Francë, ndodhen shumë refugjatë të cilët përpiqen të kalojnë në Britani duke kaluar Kanalin e La Mansh-it.
Kampi i refugjatëve i emërtuar si “Xhungla” në Calais, u shemb nga policia franceze në vitin 2016./AA/
Top Channel