Asociacioni i komunave me shumicë serbe përplasi sërish në distancë Prishtinën dhe Beogradin, vetëm disa ditë para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi me takimin e parë të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 nënshkruan marrëveshje të parimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por Kurti deklaroi se “nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë dhe se është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik”, ndërsa kujtoi se për këtë cçshtje ekziston dhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, tha ai.

Shumë shpejt pas kësaj reagoi Vuçiç. Presidenti serb u shpreh Kurti nuk ka përse të shkojë në Bruksel, nëse nuk flet për Asociacionin e komunave serbe.”Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin, por kërkon ndërkohë që ne ta njohim Kosovën, atëherë nuk ka pse të vijë.

Dhe nëse ata presin që unë ta bëj një gjë të tillë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve.

Top Channel