Superkupa e Europës në Belfast, zgjidhet Irlanda e Veriut!

03/06/2021 17:32

Belfasti është qyteti i përzgjedhur nga drejtuesit e UEFA-s për Superkupën Evropiane, që sivjet do të përballë ekipin e Chelsea-t me skuadrën e Villarreal-it.

Krerët e Qeverisë Evropiane ia besuan Superkupën pikërisht kryeqytetit të Irlandës së Veriut, që do të presë pas dy muajsh e gjysmë duelin anglo–spanjoll Chelsea–Villarreal në Stadiumin Windsor Park. Ky stadium ka nja kapacitet që luhatet nga 18.600 deri në 22.000 spektatorë dhe konsiderohet si shtëpia e Linfield-it, klubit të famshëm vendas, që katër dekada më parë u eliminua në Kupën e Kampioneve nga skuadra e Tiranës. Federata e Irlandës së Veriut i paguan një qera vjetore klubit të Linfield-it për gjithë ndeshjet që zhvillon përfaqësuesja e “Norn Iron” në kryeqytet, sidoqoftë ky impiant pret gjithashtu edhe finalen e kupës në vend.

Drejtuesit e UEFA-s ndryshuan strukturën e këtij aktiviteti që në vitin 1998, kur në fundin e muajit gusht Chelsea dhe Reali I Madridit inauguruan në Principatë edicionin e parë të këtij kompeticioni pa ndeshje vajtje – ardhje. Që nga ajo kohë Superkupa Evropiane organizohet me tek ndeshje, madje 15 edicionet e para që u zhvilluan sipas këtij formati pra nga 1998 deri në vitin 2012, kur Chelsea u përball me Atletikon e Madridit, sfidat u mbajtën në Stadiumin Luigji i Dytë të Montecarlo-s. Kandidaturat e tjera përvec Belfastit për të organizuar një ndeshje të tillë ishin Bjellorusia, me Stadiumin Dinamo të Minskut, me kapacitet prej 22.000 spektatorësh, Finlanda, me Stadiumin Olimpik të Helsinkit, që mban deri në 36.000 të pranishëm si dhe Stadiumi Metalist I Harkovit në Ukrainë, me kapacitet prej 40.000 spektatorësh.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s përzgjodhi pikërisht Stadiumin Windsor Park, që do të presë kështu më datën 11 gusht të këtij viti takimin Chelsea–Villarreal, megjithatë vendi organizator u vu në dyshim, pasi krerët e Qeverisë Evropiane menduan paraprakisht për ta zhvendosur një takim të tillë në Stamboll, si për të kompensuar në njëfarë mënyre qytetin më të populluar të Kontinentit të Vjetër, pas vendimit të drejtuesve të UEFA-s për ta luajtur finalen e madhe të Champions League-s jo më në Turqi, por në Portugali në Qytetin e Portos, për arsye të masave të forta shtrënguese në vend, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kanë mbetur akoma pa u përcaktuar disa detaje të rëndësishme në lidhje me shpërndarjen e biletave, megjithatë Presidenti i Federatës Patrick Nelson u shfaq i kënaqur që ndeshja nuk do të ndryshojë destinacion dhe do të mbetet në Belfast. Ashtu si edhe vitin e kaluar Stadiumi Olimpik Ataturk i Stambollit u privua nga pritja e finales së Champions-it dhe në mënyrë kurioze të dyja finalet e fundit u zhvilluan në Portugali. Vjet finalja Bajern – Paris SG u organizua me dyer të mbyllura në Stadiumin da Luz të Lisbonës, pra pa praninë e spektatorëve, ndërsa sivjet finalja Chelsea–Manchester City u mbajt në Stadiumin Dragao të Portos, që u mbush afërsisht me 1/3 e kapacitetit, për të respektuar masat anti–covid. Të mërkurën e kaluar në Poloni në Stadion Miejski të Gdanskut në finalen e Europa League-s “nëndetësja e verdhë” nën drejtimin e trajnerit Unai Emery fundosi “djajtë e kuq” të Manchester United, pas gjuajtjes së 11-metërshave, ndërsa të shtunën në mbrëmje një gol i Kai Havertz në fundin e pjesës së parë i mjaftoi “bluve” për të mposhtur në Champions, në Estadio do Dragao të Portos City-n e Guardiolës.

Edicionin e kaluar Superkupa Evropiane ndërmjet Bajernit dhe Seviljes u zhvillua në Hungari, në Puskas Arena të Budapestit, me praninë e 15.000 spektatorëve, ndeshje e cila u fitua nga ekipi bavarez, pas kohës shtesë. Për Villarreal-in kjo është pjesëmarrja e parë në Superkupën Evropiane, ndërsa “blutë” numërojnë plot katër të tilla, në vitet 1998, 2012, 2013 e 2019. Në dy rastet e fundit ekipi I mirënjohur londinez është thyer vetëm pas goditjes së penalltive, respektivisht me Bajernin e Mynihut dhe Liverpulin, ndërsa me Atletikon e Simeones “blutë” u mundën keqas 4-1 në Montecarlo, kështuqë suksesi i vetëm mbetet ai i skuadrës së drejtuar nga Gianluca Vialli 23 vjet më parë, kur golin e vetëm të sfidës me Realin e drejtuar nga holandezi Guus Hiddink e realizoi pikërisht në fund të ndeshjes mesfushori uruguajan Gus Poyet./SuperSport/

Top Channel