Shtëpia e Bardhë e shpalli luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Përmes një memorandumi Presidenti Biden thotë se “administrata amerikane do të udhëheqë përpjekjet për të nxitur qeverisje të mirë, transparencë në sistemet financiare të Shteteve të Bashkuara dhe globale, si dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit”.
Me përfshirjen e luftës anti-korrupsion në përparësitë e saj, administrata Biden angazhohet të ndërmarrë hapa të rinj për të vënë para përgjegjësisë individët e korruptuar, organizatat kriminale transnacionale dhe aktorë të tjerë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
“Kjo përfshin forcimin dhe ndërtimin e sanksioneve që synojnë luftë kundër korrupsionit sipas Ligjit Magnitsky dhe kompetencave të tjera të të ngjashme; dhe përfocimin e masave penale ose civile, të tilla si Nisma Departamentit të Drejtësisë për Rimarrjen e Pronave të Siguruara përmes Kleptokracisë”, thuhet në memorandum.
Në dokument thuhet se “korrupsioni dëmton besimin e publikut, pengon qeverisjen efektive, deformon tregjet dhe qasjen e drejtë në shërbime; saboton përpjekjet për zhvillimin; kontribuon në brishtësinë e vendeve, ekstremizmin dhe migrimin kombëtar; dhe u siguron udhëheqësve autoritarë një mjet për të minuar demokracitë në të gjithë botën.”
“Kur udhëheqësit vjedhin nga shtetasit e vendeve të tyre ose oligarkët shpërfillin shtetin ligjor, ngadalësohet rritja ekonomike, thellohet pabarazia dhe bie besimi tek qeveria”, vazhdon memorandumi.
Shtëpia e Bardhë thotë se kostoja financiare e korrupsionit është marramendëse, duke gërryer 2 – 5 përqind nga prodhimi global i brendshëm bruto.
“Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, barazinë ekonomike, përpjekjet globale kundër varfërisë dhe zhvillimit, dhe vetë demokracinë. Por duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar avantazhet e një qeverisjeje transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera”, shprehet Presidenti Biden.
Memorandumi u kërkon agjencive kryesore të administratës që të koordinojnë dhe të mbështesin përpjekjet e anti-korrupsionit, të luftojnë financimet e paligjshme, të vënë aktorët e korruptuar para përgjegjësisë, të ndërtojnë partneritete ndërkombëtare dhe të përmirësojnë ndihmën e huaj.
Dokumenti thotë se kjo gjithashtu nënkupton rritjen e mbështetjes për forcimin e aftësive të shoqërisë civile, medias, organeve shtetërore dhe lokale, partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve të tjerë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.
“Korrupsioni”, thuhet në dokument, “shkatërron demokracinë nga brenda dhe gjithnjë e më shumë përdoret si instrument nga shtetet autoritare për të minuar institucionet demokratike”.
Administrata amerikane angazhohet “të godasë parajsat fiskale dhe financimet e paligjshme, që kontribuojnë në pabarazinë e të ardhurave, financimin e terrorizmit dhe rrisin ndikimin e huaj keqdashës”, thuhet në memorandum./VOA/
Top Channel