Ramos bën valixhet gati, ja shkaqet e divorcit me Realin e Madridit

03/06/2021 17:26

E ardhmja e Sergio Ramos pritet të jetë larg Realit të Madridit. Lajmin e konfirmon e përditshmja spanjolle “AS”, që raporton për një krisje totale mes kapitenit të Los Blancos dhe presidentit Perez, aq sa ky i fundit nuk i ka bërë asnjë ofertë për rinovim.

Me afrimin e 28-vjeçarit David Alaba, madrilenët kompletuan sërish repartin e prapavijës, duke i dërguar njëkohësisht një tjetër sinjal Ramosit, se nuk kanë ndërmend t’i bëjnë asnjë ofertë për rinovim, teksa “AS” konfirmon se palët nuk komunikojnë prej ditësh.

Presidenti Florentino Perez ka mbetur i zhgënjyer në disa raste nga ana e kapitenit të tij, teksa më i fundit ka qenë disa muaj më parë, kur Ramos doli kundër heqjes dorë nga 10% e pagës, për të ndihmuar klubin në kushtet e pandemisë.

Kjo lëvizje e mbrojtësit veteran spanjoll dëmtoi jo pak ekonomikisht klubin madrilen, ndërsa vetë Ramos bindi shokët e tij të refuzojnë, pasi u tha se paratë e kursyera do të investoheshin për të afruar në “Santiago Bernabeu” francezin Mbappe.

Megjithatë pakënaqësia e parë e Perez ndaj Ramos u regjistrua në 2015-ën, kur vetëm pak pas largimit të Casillas, mbrojtësi kërcënoi me largim drejt Manchester United, nëse nuk do të rinovonte me pagë 12 milionë euro neto në sezon dhe numri një i Los Blancos u detyrua të pranojë.

Më pas të dy janë përplasur edhe në dhomat e zhveshjes në 2018-ën, fill pas eliminimit nga Ajaxi në Ligën e Kampionëve, ku Ramos mori në mbrojtje shokët e skuadrës, por edhe një vit më vonë, kur mbrojtësi kërkoi ndërprerjen e kontratës për t’u transferuar në Kinë.

Sergio Ramos shquhet si një futbollist i drejtpërdrejtë, që nuk përdor shumë diplomacinë kur flet dhe ka dalë kundër grupit edhe kur u fol për një rikthim të mundshëm të Jose Mourinhos në Madrid, pasi deklaroi se skuadra ka fituar edhe pa të në pankinë.

Të gjitha këto arsye, por edhe situata e krijuar me pandeminë, ku asnjë klub nuk mund të kënaqë më pretendimet ekonomike të mbrojtësit spanjoll, kanë vënë në pozita komode presidentin Perez, që kërkon të “hakmerret” ndaj futbollistit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel