Ishulli me energji të pastër/Flutura e e Egjeut do prodhojë energji nga dielli dhe era

03/06/2021 15:57

I njohur edhe si flutura e Egjeut nga forma e relievit të tij Astipalia, ishulli grek prej 1300 banorësh në verilindje të Kretës tani e tutje do të bëhet ishulli i parë i gjelbër i Mesdheut pasi do të prodhojë vetë energjinë e pastër elektrike nga dielli dhe era.

Në bashkëpunim me qeverinë greke prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen ka filluar një projekt pesë-vjeçar në këtë ishull për të provuar adoptimin e automjeteve elektrike në zonat që planifikojnë të kalojnë tek prodhimi i qëndrueshëm i energjisë nga burimet natyrore. Nisma prej 20 milion euro që mbështetet financiarisht nga qeveria greke, do t’u sigurojë banorëve stimuj si ulje çmimi nga 10.000 -15.000 euro për të ndërruar automjete konvencionale me makinat dhe motoçikletat elektrike.

Synimi është që brenda 3 vitesh gjithë transporti i automjeteve në ishull të behet me rreth 1000 automjete elektrike, prej te cilave 50 janë në dispozicion që tani, bashkë me 12 pika furnizimi me energji elektrike.

 “Është një ishull i lidhur me një civilizim antik, me një kulturë të pasur, një të kaluar të pasur ,por dhe me një të ardhme shumë, shumë premtuese. Ajo që ne po sjellim këtu në Astypalea nuk është asgjë më pak se një fillim i ri”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri Grek.

 “Ne do të diskutojmë dhe përfshijmë idetë e njerëzve, ndërsa transformojmë mjedisin e lëvizjes rreth shtëpive të tyre. Skema e makinave elektrike të Volkswagen do ta bëjë jetën e tyre më të pastër, më të lehtë dhe më praktike”, tha Herbert Diess, CEO i Volksëage.

Në fazën e dytë parashikohet fikja njëherë e përgjithmonë e katër gjeneratorëve të mëdhenj me naftë që prodhonin  energji për ishullin të cilat do të zëvendësohen me 3 parqe fotovoltaike  dhe një gjenerator me fuqinë e erës. Kjo do të sjellë uljen deri në 70% të emetimeve të dioksidit të karbonit dhe koston e prodhimit të energjisë me 25%.

“Deri në vitin 2030, dy nga tre kilovat orë të konsumuara në Greqi do të vijnë nga Burimet e Rinovueshme të Energjisë”,  ka theksuar kryeministri grek , duke shtuar se “Astypalea do të jetë vendi ku do të zhvillohet prova për tranzicionin e energjisë se pastër që do të prodhohet tërësisht nga natyra dhe që do të furnizojë një sistem transporti elektrik.

Greqia është e etur të zhvillojë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë në ishujt e saj për të zëvendësuar energjinë elektrike të shtrenjtë të prodhuar në vend, kryesisht duke përdorur naftë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA