BE ndihmon vendet që synojnë anëtarësimin, por ka kushte

03/06/2021 14:50

Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë arritur të enjten marrëveshje për përdorimin e mjeteve nga buxheti i BE-së për të ndihmuar vendet në procesin e zgjerimit.

Bëhet fjalë për programin IPA 3 nga i cili për këto shtete në shtatë vitet e ardhshme do të jenë në dispozicion 14.2 miliardë euro. Këto mjete do të ndahen për Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Risi në këtë marrëveshje është se përdorimi i mjeteve nga ana e vendeve kandidate dhe kandidatët potencialë do të jetë e kushtëzuar më shumë me sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave demokratike.

BE do të ketë mundësi edhe të suspendojë ndihmën për këto shtete në rast se do të ketë keqësim të situatës në sundimin e ligjit dhe ecje prapa në zhvillimin e demokracisë.

Po ashtu do të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga ana e Parlamentit Evropian në mënyrën se si do të përdoren këto mjete.

Me këtë marrëveshje të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, sipas propozimit të Komisionit Evropian, sigurohet korniza për përdorimin e mjeteve në kornizën shumëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027 për ndihmën e reformave institucionale, ekonomike, sociale.

Këto reforma do të duhej të ndihmojnë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë që të avancojnë drejt arritjes së standardeve evropiane dhe rritjes së sigurisë së përbashkët.

Ndonëse fokus kësaj radhe i jepet edhe çështjeve që kanë të bëjnë me migracionin, në Komisionin Evropian kanë sqaruar se mjetet financiare që i janë ndarë Turqisë për t’u përballur me sfidat e migracionit, nuk janë nga instrumentet e IPA-s por nga linjat tjera buxhetore të Bashkimit Evropian.

Parlamenti Evropian në një komunikatë të lëshuar pas arritjes së kësaj marrëveshjeje ka nënvizuar se është e rëndësishme të ketë një qasje strategjike dhe të mbahet kushti i suspendimit të ndihmës për ato shtet, të cilat nuk do të respektojnë vlerat e përbashkëta evropiane, sidomos ato që kanë të bëjnë me liritë themelore, demokracinë dhe lirinë e mediave. Fokus i veçantë do t’i jepet edhe ruajtjes së mjedisit.

Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme David McAllister nga Gjermania, duke komentuar arritjen e marrëveshjes, ka thënë se “është një lajm i jashtëzakonshëm për shfrytëzuesit e instrumenteve IPA 3, pasi është arritur marrëveshja, e cila është pritur kaq gjatë”.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për përmirësimin e menaxhimit të mjeteve, transparencë dhe rritje të konkurrencës për vendet e procesit të zgjerimit, sidomos në periudhën pas pandemisë”.

Mjetet financiare nga të ashtuquajturat “instrumentet e para-anëtarësimit” (IPA) pritet të ndihmojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisin edhe tërheqjen e investimeve private.

Këtë BE do ta ndihmojë edhe përmes një kornize të posaçme për tërheqjen e investimeve në Ballkanin Perëndimor të prezantuar vitin e kaluar./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA