Reali rikthen Ancelottin/ Trajneri italian firmos me Los Blancos për 3 vjet

02/06/2021 12:33

Tani është zyrtare, Carlo Ancelotti është trajneri i ri i Realit të Madridit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi spanjoll, nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e tij të internetit. Trajneri italian firmosi me Los Blancos një kontratë 3-vjeçare deri në vitin 2024. Në të njëjtën kohë me Realin e Madridit, doli edhe Everton me një komunikatë për shtyp teksa përshëndeti trajnerin italian, duke e falenderuar për punën e tij.

Edhe Carlo Ancelotti deshi të falenderojë drejtuesit futbollistët dhe të gjithë tifozërt e Evertonit për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë gjatë qëndrimit të tij në Liverpool. “Kam respekt për të gjithë ata që kanë punuar për Everton dhe shpresoj që të arrijnë mundësitë entuziazmante që kanë përpara”, tha Ancelotti, “edhe pse më pëlqeu të isha trajneri i Evertonit, m’u paraqit shansi i papritur që besoj se është lëvizja e duhur për mua dhe familjen time në këtë moment”.

Nuk është hera e parë që Perez rikthen një trajner në pankinën e Realit të Madridit. E bëri këtë me Zidane dhe tani me Ancelottin me këtë të fundit që e ka drejtuar Realin e Madridit edhe në periudhën 2013-2015 duke fituar edhe një Ligë të kampioneve, atë të vitit 2014 që ishte titulli i 10-të për skuadrën madrilene.

Bashkë me Carlpo Ancelottin, në Madrid do të transferohet edhe përgatitësi atletik, Antonio Pintus që ishte i lidhur me Conten, por që tani është i lirë pas largimit të trajnerit nga Interi. Pintus ka qenë në Madrid edhe në periudhën 2016-2019, përpara se të ndiqte Conten në aventurën e tij në Milano.

Top Channel