Fluturimet në mes të Rusisë dhe Gjermanisë janë pezulluar të mërkurën, pasi Moska ka dështuar që të zgjasë në kohë lejet e fluturimit për kompaninë gjermane Lufthansa, duke nxitur kështu përgjigje të njëjtë nga Berlini.
“Autoritetet ruse kanë dhënë leje për Lufthansan që të kryejnë fluturime në Rusi, në muajin qershor. Kjo nënkupton që fluturimet e Lufthansas në Moskë dhe Shën Petersburg mund të realizohen sipas planit”, ka thënë të mërkurën vonë një zëdhënëse e kompanisë më 2 qershor.
Kompanitë ajrore ruse Aeroflot dhe S7 po ashtu kanë njoftuar se fluturimet do të rinisin në Gjermani, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve.
Më herët më 2 qershor, Ministria e Transportit në Gjermani ka thënë se autoritetet e aviacionit në Rusi FATA, nuk i kanë ripërtërirë lejen kompanisë Lufthansa, çka ka rezultuar me anulim të fluturimeve që ishte planifikuar të realizoheshin më herët gjatë ditës.
Zyra e Aviacionit në Gjermani nuk do të lëshojë leje për fluturimet e ardhshme të kompanive ajrore ruse në Gjermani, për aq kohë sa lejet vonohen nga pala ruse, ka thënë ministria.
Si rezultat, Aeroflot dhe S7 nuk kanë mundur të realizojnë fluturimet më 2 qershor.
Ende nuk ka pasur komente nga autoritetet ruse për këtë çështje.
Berlini ka thënë se Rusia “njëanshëm” ka pezulluar marrëveshjet bilaterale në trafikun ajror në mes të të dyja shteteve në mars të vitit 2020, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Për këtë arsye, fluturimet janë autorizuar në mënyrë reciproke në baza mujore.
Top Channel