Mjekët e familjes, papritur u gjendën gjithashtu në frontin e parë të luftës me Covid 19-tën.

Prej mbi 14 muaj ata përballuan një punë intensive dhe celulari për të komunikuar dhe ndjekur ecurinë e pacientëve, u shndërrua në një mjet të rëndësishëm. Ky është celulari i tretë i mjekes së familjes, zonjës Bruna Shiroka.

Bruna Shiroka: Covidi tashmë ka ndryshuar histori. Përditshmëria e mjekut të familjes po i rikthehet natyrës së saj të mëparshme. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e ngarkuar. Janë orë pafund pune, është stres i mbartur qoftë për sigurinë e jetës, qoftë për cilësinë e mjekimit. Pjesa e familjes ka qenë pothuajse e shmangur, por na kanë mirëkuptuar.

Pjesa dominante e ditës ka qenë komunikimi mbi mbarëvajtjen e pacientit. Dhe mjeti i domosdoshëm ishte telefoni që duhej ta mbaja nonstop pranë vetes, pa zile, sepse mesazhet nuk pushonin dhe me ekran të errësuar, sepse familja flinte.

Dita nuk kishte fillim dhe nata nuk kishte mbarim. Një mjek familje minimalisht në një ditë pune mund të ndiqte mbi 20, deri në 30 pacientë.

Telefonatat kalonin mbi 100 në ditë.

Në 30 vitet e punës, mësimet e mësuara gjatë Covidit, përvoja intensive, mund të barazohen me pjesën e mësuar ndër vite.
Ja p.sh. në 8 mars nisa komunikimin me një çift të sëmurë nga Covidi dhe në 17 prill ka përfunduar komunikimi, pasi u shërua.

Sot numëroj 100 kontakte në telefon. Para pandemisë kisha 300-400 numra kontakti.

Mirënjohja që na shprehin në fund të procesit të rikuperimit nuk ka të çmuar. Ja një mesazh nga një zonjë 90 vjeçare: “Jemi të lumtur që ekzistoni. Bota zbukurohet me njerëz si ju”.

Juli Ristani

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA