Senatori amerikan Lindsey Graham vizitoi Izraelin për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga konflikti i dhunshëm 11 ditor me Hamasin.
Graham tha se Izraeli do të kërkojë një ndihmë prej 1 miliard dollarësh nga SHBA për të përmirësuar armën e vet të madhe të sigurisë, Iron Dome. “Pentagonit këtë javë do t’i mbërrijë një kërkesë prej 1 miliard dollarë nga ministri izraelit i mbrojtjes për të riparuar e përmirësuar Kupolën e Hekurt e disa gjëra të tjera, e në përgjithësi për të përmirësuar sistemin“, deklaroi ligjvënësi, i cili ishte takuar më herët me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kreun e ministrisë së mbrojtjes, Benny Gantz.
Pas gati dy javë luftimesh të ashpra, Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas ranë dakord në 20 maj për vendosjen e një armëpushimi. Lufta e shkurtër i kushtoi jetën 232 Palestinezë, përfshirë 65 fëmijë. Në shtetin hebre, u vranë gjithsej 12 vetë. Sulmet ajrore izraelite shkatërruan ndërtesa banimi dhe qendra civile, duke përfshirë një godine që strehonte organizata mediatike si Associated Press.
Hamas lëshoi mijëra raketa pa dallim drejt Izraelit, shumë prej të cilave u bllokuan nga Iron Dome, që u dëmtua gjithsesi edhe vetë. Në takimin e tyre, Netanyahu i tha Grahamit: “Nuk ka asnjë person që ka bërë më shumë për Izraelin sesa ju”, siç raporton Jerusalem Post, dhe senatori u përgjigj se sa “më shumë të sulmohet Izraeli, aq më shumë ndihma do t’i dërgojë Amerika”.
Top Channel