Me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës italiane u inaugurua “Sheshi Italia” i cili është transformuar rrënjësisht dhe sot është një vend ku gëlon jeta me të rritur e fëmijë dhe jo një sipërfaqe e mbushur me makina.
Në Sheshin Italia është vendosur gjithashtu edhe skulptura e artistit Helidon Xhixha e quajtur “Big Bang”. I pranishëm në inaugurim ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se qytetet krijohen për njerëzit, dhe kjo është arsyeja përse makinat edhe në këtë shesh janë futur poshtë, ndërsa pjesa sipër është totalisht në dispozicion të qytetarëve.
“Nga një rotondo dhe nga një vend ku parkoheshin makina, një shesh i lënë pas dore prej vitesh, e transformuam, por harruam ta inauguronim. Nëse më përpara ishte vetëm një vend për makinat, sot është një vend për njerëzit. Ky shesh animohet me disa kafene “alla italiana”, ku “Dolce vita” i afrohet shumë stilit italian. Gjatë pasdites fëmijët janë këtu me patina, ose duke mësuar biçikletën. Ia kemi kthyer njerëzve. Është një shesh që jo vetëm ka emrin e Italisë, por është rrethuar nga Italia, duke filluar nga vepra që kam përballë e Marko Kazamontit, deri tek fiorentinët e tjerë të veprave”, u shpreh Veliaj.
Ai bëri një krahasim të skulpturës së artistit Helidon Xhixha me marrëdhënien e Shqipërisë me Italinë.
“Marrëdhënia e Shqipërisë me Italinë është e fortë si çeliku, me të cilin ti punon, edhe shkëlqen si dielli, të cilin e reflekton vepra jote”, përfundoi kryebashkiaku.
Top Channel