Gruaja e re nga Mali dhe nëntë foshnjat që ajo lindi një muaj më parë, janë shumë mirë, por do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen mjekësore edhe për dy muaj të tjerë. Lajmin e ka bërë të ditur klinika e Casablanca që mori përsipër këtë shtatzëni dhe lindje të vështirë.
Halima Cisse, 25-vjeçe, lindi pesë vajza dhe katër djem në fillim të majit. Ajo u transferua në Casablanca në fund të Marsit për trajtim më të specializuar, për shkak të rrezikut që kjo lindje paraqiste.
Foshnjet thuhet se nuk kanë më nevojë për të ndejtur në inkubator, tashmë ata ushqehen me qumësht dhe pesha e tyre është rritur ndjeshëm.
Ata tashmë peshojnë nga 800 gram në 1.4 kilogramë, tha për AFP Abdelkondous Huffie, zëdhënësi i klinikës private Ain Borja.
Nëna e re mund të kishte zgjedhur që të dilte nga klinika, por ajo zgjodhi të qëndronte pranë fëmijëve të saj.
Sidoqoftë, mjekët nuk po diskutojnë ende për kthimin e familjes së madhe në Mali. “Do të duhen rreth dy muaj që foshnjat të arrijnë në pikën e përballjes me jetën”, shpjegoi zëdhënësi.
Më 4 maj, një ekip prej 10 mjekësh dhe 25 infermierësh u mobilizuan për të lindur nëntë foshnje me prerje cezariane.
Theksohet se kjo shtatzëni e shumëfishtë nuk është regjistruar ende si një rekord botëror. Regjistrimi i certifikuar mjekësisht daton që nga viti 2009 dhe i përket një gruaje amerikane 33-vjeçare që lindi tetë foshnje.
Top Channel