Bjellorusia ndalon shumicën e qytetarëve të udhëtojnë jashtë

02/06/2021 13:02

Bjellorusia ndaloi përkohësisht shumicën e qytetarëve që të udhëtojnë jashtë vendit, duke u thirrur në shqetësimet nga pandemia e koronavirusit.

Komiteti Shtetëror i Kufirit i Bjellorusisë tha se ndalimi i udhëtimit zbatohet për të gjithë banorët, përveç për nëpunësit civilë bjellorusë që shkojnë në udhëtime zyrtare, personelin e transportit shtetëror dhe banorët me qëndrim të përhershëm në vendet e tjera.

Komiteti shtoi se udhëtimi ajror për qytetarët bjellorusë dhe të huajt mbetet i hapur, me kusht që ata të vetizolohen për të paktën 10 ditë përpara nisjes.

Vendimi për të ashpërsuar rregullat e udhëtimit vjen pasi Bjellorusia, me urdhër të presidentit Alyaksandr Lukashenka, ka detyruar muajin e kaluar një avion komercial, që udhëtonte nga Greqia për në Lituani, të ateronte në Minsk.

Bjellorusia ka thënë se ka vepruar kështu për shkak të kërcënimit se në bordin e avionit ishte vendosur bombë.

Pas aterimit të avionit, blogeri opozitar, Raman Pratasevich, dhe e dashura e tij që ishin në bord, janë arrestuar.

Në avion nuk është gjetur asnjë bombë.

Veprimi i autoriteteve bjelloruse ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe thirrje për lirimin e Pratasevichit.

Bashkimi Evropian i ka ndaluar fluturimet nga Bjellorusia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA