Biden kujton masakrën e Tulsës: Padrejtësi të llahtarshme!

02/06/2021 12:42

Presidenti Joe Biden vizitoi Tulsën e Oklahomës për të shënuar 100 vjetorin e masakrës të vitit 1921 që shkatërroi një komunitet afrikano-amerikan.

Më shumë se 300 vetë u vranë dhe qindra shtëpi dhe biznese u shkatërruan pasi një turmë e bardhë sulmoi lagjen. Biden foli për padrejtësi të llahtarshme e tha se SHBA-ja duhet të mësojë nga një prej episodeve më të këqija të trazirave racore.

“Për një kohë të gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua me zë të ulët, e rrethuar nga errësirë. Por vetëm sepse historia nuk është treguar me zë të lartë, nuk do të thotë që nuk ka ndodhur. Dhe megjithëse errësira mund të fshehë shumë, ajo nuk zhduk asgjë. Disa padrejtësi janë kaq të tmerrshme, kaq të hidhura, saqë ato nuk mund të zhduken, sado që të përpiqen njerëzit”, tha Biden.

Më herët, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti planifikonte “të hidhte dritë mbi atë që ndodhi dhe të sigurohej që Amerika e njihte plotësisht historinë“.

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qarte se po ndërmerr përpjekje “për të ndihmuar në mbylljen e hendekut të pasurisë racore dhe të rifillojë të investojë në komunitetet që janë lënë pas nga politikat e dështuara“.

Biden është presidenti i parë amerikan që përkujtoi masakrën e një shekulli më parë, e cila filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë, një pretendim që nuk u dëshmua kurrë, dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA