Zyrtare/ Reali zgjedh pasuesin e Zidane, rikthen Ancelottin pas 6 sezonesh

01/06/2021 21:02

Carlo Ancelotti rikthehet te Reali i Madridit. Pasi shkarkoi Zinedine Zidane pak ditë më parë, Florentino Perez nxitoi për të gjetur pasuesin e francezit dhe vendosi të rikthejë në kryeqytetin spanjoll trajnerin italian, që i dha Realit Championsin e 10 në histori.

Pavarësisht një kontrate me Evertonin deri në verën e 2024-ës, Ancelotti nuk mund të refuzonte ftesën e Perez për t’u rikthyer në pankinën e Realit dhe gjeti një marrëveshje për t’u larguar nga klubi anglez, teksa po për tre sezone ka firmosur edhe me madrilenët.

Florentino Perez mori në konsideratë për pankinën edhe Raul Gonzales, legjendë e Realit, që aktualisht stërvit ekipin e të rinjve, por eksperienca e tij u pa si e pamjaftueshme për të drejtuar në nivele të larta.

Gjithashtu alternativa ishin edhe Maurizio Pochettino, por argjentinasi është nën kontratë me PSG-në dhe Antonio Conte, që kishte kërkesa të tepruara ekonomike dhe teknike, mbi përbërjen e grupit, ndaj Perez vendosi të besojë te Ancelotti.

Tekniku 65-vjeçar italian ka drejtuar Realin e Madridit edhe në periudhën 2013-2015, për dy sezone, teksa tani ka përmbysur shpejt hierarkitë, duke parakaluar rivalët e tij për pankinën dhe duke fituar kështu një tjetër kontratë 3-vjeçare.

Bashkë me Ancelottin, te Reali rikthehet edhe përgatitësi atletik Antonio Pintus, i cili bashkëpunoi me Conten te Interi gjatë këtyre dy sezoneve, por që tani ishte i lirë, pas largimit të trajnerit italian nga pankina zikaltër./SuperSport/

Top Channel