Fundi i çdo muaji shënon hedhjen në treg të aboneve të përgjithshme dhe aboneve të linjave.
Por ndryshe nga herët e tjera këtë 31 maj nëpër Tiranë nuk qarkullon asnjë abone e përgjithshme.
“Unë interesohem për abone për vajzën. Vajta tek kioska dhe më thanë të pyes tek autobusi.”
“A ka abone? Jo, nuk ka abone të përgjithshme, vetëm të linjës. Kështu sicc bëjnë këta me popullin , nuk bëhet. Gjithë premtimet e bëra për ne, janë zero.”
“Në fushatë një abone u bë 9 ose 10 mijë lekë, u ul çmimi, tani i hoqën fare nga qarkullimi.”
“Unë me këtë abone të përgjithshme që kushton 16 mijë lekë dhe që skadon sot, lëviz në tre linja të ndryshme autobusësh. Do detyrohem të marr tre abone linjash. Një kushton 12 mijë lekë herë 3 bëjnë 36 mijë lekë. Por në familje përdorin autobusë edhe im shoq dhe fëmijët që I kam të rritur. Kësaj I thonë të lësh një rrogë vetëm për autobusa.”
“Na ka prish shumë punë heqja e abones për tre muaj nga qarkullimi. Tani do blej abone për një autobus dhe për tjetrin do paguaj lekë. Ose duhet të gjej një punë që të kem vetëm një rrugë, jo të ndërroj disa linja.”
“Unë jetoj në Gjermani. Paguaj 46 Euro në muaj dhe kam të drejtë të udhëtoj nëpër të gjithë landin gati.”
Bashkia e Tiranës njoftoi se heqja nga qarkullimi i abonesë së përgjithshme që nga 1 Qershori deri në Gusht, pra për gjithë verën, bëhet pasi do të riorganizojë itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik për udhëtarët. Bashkia e Tiranës bëri me dije se:
Për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, si dhe nga monitorimet e inspektorëve në terren, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin e shërbimit të transportit. Bashkia e Tiranës do t’iu kërkojë operatorëve të transportit publik qytetës rikthimin në kushte të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës, para pandemisë.
Abonetë e përgjithshme do të hidhen sërish në shitje në muajin Shtator, kurse abonetë për linjat e veçanta do të jenë në shitje normalisht, edhe gjatë muajve Qershor, Korrik dhe Gusht, e në vijim.
Top Channel