Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, bën me dije kryeministri Edi Rama, për të fshirë sipas tij nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit).
Rama thotë se pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit.
Nga Shëngjini kryeministri bëri një apel për të gjithë: Operacioni nis javën e ardhshme, dhe të gjithë ata që e dinë këtë, të lexojnë kodin penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet në flagrancë dhe kur duhet të ballafaqohen me shkeljet e rënda, të fillojnë t’i prishin vetë.
U bëj me dije dhe shumë të qartë që nga instruktori deri te punëtori i thjeshtë se me kodin penal janë të gjithë pjesë e e zinxhirit të fajësisë. Sepse nuk mundet dot të thuash unë jam një punëtor, më morën nuk di ca bëj , është njësoj sikur të thuash më morën të mbillja bar po në fakt po mbillja kanabis.
Më morën të transportoja miell, po në fakt ishte kokainë , është e njëjta gjë. Të gjithë do ndalohen dhe penalizohen.
Kjo është pasuria me e madhe që kemi, ka ndodh ça ka ndodh, nuk mund të lëmë që për arsye të situatave të komplikuara , tërmeti, pandemia , të bubërrojë sërish nën vështrimin indiferent të disa punonjësve dhe policisë që e kanë për detyrë kur fillon aktiviteti i paligjshëm . E pamundur, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme.
SHÇBA do t’i shkojë deri në fund kësaj pune por dhe policët e dinë se njësoj si me lufta me krimin dhe kjo ka një përgjegjësi dhe nëse zonën tënde ndodh diçka e tillë je ti përgjegjës dhe bashkëfajtor.Kështu që tërhiqeni tani!
Top Channel