Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku dhe Drejtorin e Përgjithshëm të DRSHTRR, Blendi Gonxhe, inspektuan sot nga afër punimet e një pike të re kontrolli që po bëhet në Laç.
Sipas kryeministrit, qytetarët do përballen me një ndryshim rrënjësor të këtij shërbimi.
“Duke ndjekur nga afër transformimin rrënjësor të DRSHTRR, ku kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh. Ndërkohë prej ditës së djeshme ka nisur shërbimi publik i kontrollit të mjeteve, pas dhënies fundit të konçesionit rraskapitës e korruptiv, që torturoi me vite drejtuesit e automjeteve. Sipas një kalendari të mirëorganizuar përmes shërbimeve online dhe fizikisht të automjeteve, drejtuesit e automjeteve do të prekin një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shërbimit ”, shkruan Rama.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, tha se ky autoritet do të jetë më i ashpër me qytetarët e thjeshtë.
“E mira nuk ka fund po nëse ruajmë tarifat dhe rrisim standartet, do jemi të sigurtë edhe me flotën në rrugë, por do të jemi me dorë më të fortë, pra do kemi një sjellje tjetër. E kemi thënë, do ta fillojmë nga vetja, nga shteti sepse flotat publike janë ato që sot kanë problemet më të mëdha, flotat komunale të bashkive shpesh na paraqisin problemet më të mëdha. Ta nisim nga vetja të japim shembullin që ne dimë të korrigjojmë flotat tona një herë pastaj pastaj te jemi më të ashpër dhe me ata”, tha Gonxhja.
Top Channel