Zëdhënësja e PD Ina Zhupa ka denoncuar me foto se si tavani i pediatrisë në Tiranë ka rënë.
Ajo thotë se nga rënia është plagosur dhe një fëmijë.
“1 qershori ne Pediatrine Tirane! Kushtet e spitaleve skandaloze te shendetesise rrezikuan edhe jeten e femijeve.
Tani ne spitalin e pediatrise sapo u plagos nje femije nga renia e tavanit. Duhet hetim dhe venia para drejtesise te atyre qe rrezikojne jeten e femijeve pikerisht ne vend ku duhet te shpetojne jeten dhe shendetin”, shkruan Ina Zhupa.
Pas këtij incidenti ka ardhur dhe reagimi nga QSUT. Ata thonë se dy pacientët e vegjël që ndodheshin në dhomë dhe gjendja e tyre aktualisht paraqitet e mirë, pa dëmtime.
Njoftimi
Një incident ka ndodhur sot paradite në Shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve 1 në QSUNT, në pavionin ekzistues, si pasojë e shkëputjes së një pjese suvaje nga tavani i një dhome.
Menjëherë personeli mjekësor ka ekzaminuar dy pacientët e vegjël që ndodheshin në dhomë dhe gjendja e tyre aktualisht paraqitet e mirë, pa dëmtime.
Një grup ekspertësh nga Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse e QSUNT, po kryen një vlerësim teknik për shkaqet e incidentit për marrjen e masave të menjëhershme.
Top Channel