Pastori Paulin Vilajeti, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live “ ka treguar se ai kishte një furgon me të cilin ndihmonte vajzat që të largoheshin nga fshati për tu shpëtuar duarve të bandave që kërkonin t’i trafikonin drejt vendeve të tjera.
Me lot në sy, shtoi se i merrte vajzat dhe i shtrinte në makinë dhe i çonte në fshatra të tjerë ku ndiheshin më të sigurta. Ndërsa për bandat tregoi se e kanë kërcënuar vetëm një herë duke i marrë makinën, por nuk kanë aspak lidhje me faktin që ndihmonte të rejat që të largoheshin.
Vilajeti: Ka qenë koha më e dhimbshme e gjithë shërbesës sime si pastor në Kuçovë se e kanë marrë tek shtëpia. Në atë kohë, grupe të ndryshme kriminale gjenin se kush ishte vajzë e bukur në qytet dhe vetëm e njoftonin se në cilën orë do vinin ta marrin. Njoftonin familjet dhe nuk kishin frikë nga asgjë. Po flasim për vitin 1997. Unë kam qenë i njohur në atë kohë dhe në grupet kriminale dhe në njerëzit që kanë pasur halle të tilla. Kam marrë makinën, kam marrë vajzën dhe e kemi shtrirë në makinë për t’i nxjerrë jashtë nga qyteti.
Ato grupe të armatosur kontrollonin gjithë qytetin. Kur e pashë këtë vajzën, nuk e di… Vajzat i nxirrnim jashtë qytetit dhe i çonim në fshatra ku mendonim se ishin më të sigurt tek të afërmit e tyre ose i sillja deri në Tiranë. Privilegji i asaj kohe ishte se të gjithë kriminelët më njihnin se isha pastor. Më kanë kërcënuar vetëm një herë, më kanë grabitur makinën por jo për këtë shkak. Ma rikthyen pas 2 orësh, por është një situatë që shteti nëse do t[i rikthehet asaj kohe, do bënte një nga gjërat më të mrekullueshme sepse janë zhdukur njerëz.
Top Channel