VIDEO/ Rrugët e Shkodrës mbushen me makina e flamuj. Tifozët brohorasin për fitoren e Vllaznisë

31/05/2021 22:20

Shkodranët kanë dalë në rrugët e Shkodrës me makina dhe me flamuj duke brohoritur në rrugë për fitoren e Vllaznisë në përballjen me Skënderbeun.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel, duket se si janë mbushur rrugët e Shkodrës me tifozët që janë të lumtur për fitoren e Kupës së Shqipërisë pas 13 vitesh nga ekipi i Vllaznisë.

Vllaznia e kurorëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme  sezonin e jashtëzakonshëm që përjetoi këtë vit. Skuadra shkodrane festoi në ‘Air Albania Stadium’ triumfin në Kupën e Shqipërisë pasi mposhti në finale Skënderbeun 1-0.

Vllaznia ishte më kërkuese në pjesën e parë teksa e detyroi skuadrën e Skënderbeut që të qëndronte më shumë në mbrojtje teksa krijoi edhe disa momente të mira për të shënuar.

Goli për skuadrën shkodrane erdhi në minutën e 39 me Da Silvan me futbollistët e Vllaznisë që festuan këtë gol avantazhi me tifozët që kishin ardhur për të ndjekur skuadrën e tyre nga shkallët e Air Albania Stadium. Me avantazhin 1-0 u mbyllën edhe 45 minutat e para të kësaj finaleje.

Në pjesën e sytë si Skënderbeu ashtu edhe Vllaznia kërkuan të shënonin, por nuk i shfrytëzuan shanset që krijuan. Me kalimin e minutave, të dyja skuadrat filluan të ndjenin lodhjen dhe kjo u duk në veprimet e futbollistëve që në disa raste nuk kishin qartësinë e duhur. 11 minuta nga fundi Da Silva pati një tjetër mundësi shënimi.

Kur sfida po shkonte drejt fundit  Zguro e la Skënderbeun me 10 futbollistë pasi u ndëshkua me karton të kuq duke ia vështirësuar shumë gjërat skuadrës së tij në çastet e fundit, ndërkohë që moment interesant ishte edhe ai i ndëshkimit me karton të kuq edhe i mjekut të Vllaznisë. Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi deri në fund me Vllazninë që ngre trofeun e Kupës së Shqipëriaë, një trofe që kuqebluve dhe qytetit të Shkodrës i mungonte që nga viti 2008…

Top Channel