Seanca e votimit në Kuvend për shkarkimin e Presidentit është afruar me një ditë, pasi ishte planifikuar në datën 10 qershor.

Më 9 qershor në Kuvend do të votohet kërkesa për shkarkimin e tij nga detyra me akuzën se ka shkelur 16 herë Kushtetutën.

Nuk dihet ende se përse është ndryshuar kjo datë, ndërsa pritet se cili do të jetë fati i presidentit Ilir Meta.

Pas një muaji mbledhjesh e shqyrtimesh, Komisioni Hetimor doli në përfundim se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve. Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 9 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.

Kujtojmë se Meta është shprehur se nga dera e Presidencës  do të dalë vetëm në korrik të vitit 2022, por socialistët duan ta nxjerrin atë më shpejt.

Neni 88 i Kushtetutës kërkon që shkarkimi duhet të marrë jo më pak se 1/4 e anëtarëve të kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kjo do të thotë se shumicës qeverisëse, për të realizuar shkarkimin i duhen 94 vota të cilat nuk i ka.

Jo më kot kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla nga foltorja e parlamentit kërkoi mbështetjen e Lulzim Bashës që deputetët e listës së tij në parlament t’i bashkohen votimit për shkarkimin e presidentit Meta.

Le të analizojmë numrat në kuvendin e Shqipërisë ku janë 122 deputetë mes tyre edhe dy deputet e reja të betuara në seancën e shkuar.

Getiana Cakrani dhe Jetmira Rraboshta zëvendësuan me urgjencë, deputetin e ndjerë Bashkim Fino dhe atë të dorëhequr Tom Doshi pikërisht edhe për efekt të votimit të pritshëm për presidentin.
Nëse i referohemi votimeve të shkuara shumë projektligje janë votuar me 93 vota apo edhe më shumë vota.

Nga 122 deputetë të kuvendit vetëm katër potencialisht mund votojnë kundra shkarkimit.

Ata janë. Lefter Maliqi, Elda Hoti, Artur Rroshi dhe Korab Lita.

Nëse do të ndodh kështu në dispozicion të socialistëve shumatorja e votave për shkarkimin e presidentit mbërrin në 118. Duke marrë në konsideratë votat abstenim pse jo edhe ndonjë votë inati socialiste pro Ilir Metës, kjo nuk do ta rrezikonte aspak votimin pro shkarkimit.

Pas 10 qershorit parlamenti do ta lërë topin në fushën e gjykatës kushtetuese e cila duhet të vendosë nëse kjo është çështje prioritare dhe ta marrë në shqyrtim jashtë radhe ose ta vendosë në radhën e pritjes bashkë me 180 çështje që pritet të gjykohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA