Policia Rrugore e Lezhës ka rritur prezencën në rrugë duke ushtruar kontrolle me dronë, radar dhe drager, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Si rezultat kontrolleve të shtuara janë tërhequr 91 leje drejtimi, janë vendosur 413 masa administrative për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme dhe 368 masa administrative për tejkalim shpejtësie.
Po ashtu gjatë javës që lamë pas janë arrestuar 7 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi.
Policia raporton se kontrollet janë përqendruar në akset rrugore Lezhë-Milot-Thumanë, Lezhë-Shkodër, Lezhë-Shëngjin dhe Lezhë-Rrëshen, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve, që kryejnë parakalime të gabuara dhe sjellje agresive në rrugë, të cilat janë rrezik potencial për përfshirjen në ngjarje rrugore me pasojë jetën.
Po ashtu në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore janë intensifikuar kontrollet me radar dhe me drager, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që tejkalojnë normat e lejuara të shpejtësisë dhe drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Policia Rrugore e qarkut Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të Kodit Rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Top Channel