Thomas Brdaric është arkitekti i kësaj Vllaznie, që humbi titullin kampion vetëm në metrat e fundit, por ia doli të rikthejë një trofe në Shkodër pas 13 vitesh, pikërisht Kupën e Shqipërisë, që fitohet për herë të 7 në historinë e klubit kuqeblu.
Në intervistën e dhënë, ai deklaroi se është shumë i lumtur me punën që ka bërë në klubin shkodran dhe mbi të gjitha me faktin që ia ka dalë të rikthejë Vllazninë te trofetë, pas plot 13 vitesh nga hera e fundit që kanë fituar Kupën e Shqipërisë.
Sa i lumtur jeni pas një suksesi si ky?
Ka një diferencë mes kompeticioneve, por unë sot fitoj Kupën e Shqipërisë dhe jam shumë i lumtur e krenar për klubin e Vllaznisë dhe të gjithë njerëzit rreth e qark kësaj skuadre, përfshi edhe tifozët.
A është kjo një nga arritjet më të rëndësishme tuajat?
Jam shumë i lumtur që fituam dhe po sjellim trofe te Vllaznia, pasi tani duhet të festojmë, por nuk duhet të ndalemi këtu dhe të mendojmë për t’u rritur edhe më shumë.
A do të vijoni punën te Vllaznia?
Natyrisht që do të flasim, pasi është një projekt që ne e kemi nisur të gjithë së bashku dhe do të shohim se si do ta vazhdojmë këtë rrugëtim. Do të flasim në ditët në vijim.
Në fillim ishte një aventurë, por çfarë është Vllaznia për ju tani që keni fituar një trofe?
Ishte dhe është një aventurë në fakt, por duhet të bëjmë kujdes dhe të rrimë me këmbë në tokë, pasi duam të përmirësohemi gjithmonë e më shumë. Kemi fituar Kupën e Shqipërisë, por kemi ende shumë rrugë për të bërë dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë.
A ka pasur ndonjë moment të vështirë, kur keni thënë me vete se do ta mbyllni me Vllazninë?
Ishte një sezon që e dinim se do të kishim ulje-ngritje, por nuk e dinim se si do të përballeshim me ato situata. Disa harruan prej ku u nisën dhe fluturuan më shumë se duhet, por në përgjithësi mendoj se kemi bërë një punë të mirë, me gjithë vështirësitë e veta.
Do të donim t’ju shihnim për disa vite te Vllaznia, për të parë deri ku mund të arrini…
Sot do të festojmë dhe do të shijojmë këtë që kemi arritur. Më pas nesër apo pasnesër do të shohim se çfarë do të vendosim për të ardhmen.
Top Channel