Zbulohet laboratori i kanabisit/ Operacion antidrogë në Krujë, 16 të arrestuar, 24 janë shpallur në kërkim

30/05/2021 15:27
Foto ilustruese

Policia e shtetit kreu një operacion antikanabis, në Krujë dhe Fushë Krujë, ku në pranga ranë 16 persona, të cilët dyshohet se kanë kultivuar kanabis.

Operacioni nisi pas të dhënave që policia mblodhi nëpërmjet informacioneve të qytetarëve dhe kontrolleve të kryera me dronë dhe avionë, ku janë konstatuar parcela të mbjella me hashash si dhe një laborator që shërbente për kultivimin e drogës me anë të ngrohjes me llampa.

Laboratori i drogës është në pronësi të shtetasit Xhavit Kullaj dhe Dashamir Kullaj, babë e bir, të cilët u vunë në pranga.

Të tjerë persona të arrestuar janë Asllan Deliu, Marsel Loci, Eldi Kaceli, Indrit Kullaj, Dashamire Deliu, Musait Vathi, Ferit Kullaj, Erlind Almeta, Fetije Kullaj, Refik Deliu, Erjon Deliu. Te gjithë ata banojnë në fshatrat NIkël, Larushkë, Qerekë, Arrameras dhe Halil.

Ndërkaq, sipas policisë, në pranga ka rënë edhe kryeplaku i fshatit Halil, Flamur Halili, si dhe dy punonjës të OSHEE-së, Ervin Perlica dhe Sokol Kullaj, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar që laboratori i drogës të furnizohej me energji elektrike, pa pasur probleme.

Pjesë e këtij grupi kriminal janë edhe një 17-vjeçar, dy persona të tjerë të moshave 70 dhe 78 vjeç. Policia gjatë këtij operacioni sekuestroi kubikë dhe fidanë kanabisi, 5 automjete si dhe prova të tjera materiale të cilat do t’i shërbejnë hetimit të mëtejshëm. Ndërkaq në kërkim janë shpallur edhe 24 persona të tjerë të cilët dyshohen si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Top Channel