Edison Begaj, një emër i njohur për strukturat e drejtësisë i ka shpëtuar një atentati në derën e shtëpisë mbrëmjen e djeshme në Vlorë.
38-vjeçari është plagosur nga persona ende të paidentifikuar me 4 plumba në këmbë në ambientet e banesës së tij në fshatin Kaninë.
Mbrëmjen e djeshme ai është paraqitur në ambientet e spitalit, ku ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Gazetari i Top Channel, Mkilel Marsi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku para banesës së Edison Begajt duken qartë gjurmët e gjakut, ndërkohë që policia po kontrollon zonën, ku ende janë gëzhojat në rrugë.
Nuk dihet ende shkaku i plagosjes së tij dhe pista kryesore qëndron trafiku i drogës, për të cilin është dënuar më parë.
Edison Begaj rezulton të jetë piketuar nga OFL në maj të 2020-ës për të treguar burimin e pasurisë së tij, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Më 20 shkurt të vitit 2008, policia e Vlorës vuri në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Begajn, duke i dhënë fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë.
Ndërhyrja e dhjetëra punonjësve policorë të Vlorës dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë çoi në bllokimin dhe sekuestrimin e 284 kilogramëve hashash të ndara në tetë pako të mëdha, në fshatin Ndërmenas të Fierit. Droga u gjet në një furgon, në të cilin gjatë kontrollit u zbuluan 5 armë zjarri automatike, një pistoletë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh dhe granatash. Në atë kohë, policia tha se armët e sekuestruara ishin destinuar për grupet kriminale italiane.
Qyteti i Vlorës prej muajsh nuk gjen qetësi nga ekzekutimet dhe plagosjet me armë zjarri.
Më 27 maj u plagos me armë zjarri 39-vjeçari Ergys Likaj pas një sherri me një 18 vjeçar.
Më 22 maj u ekzekutua më kallashnikov para biznesit të tij Delon Troqe i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja.
Më 10 maj u ekzekutua sërish me kallashnikov Bledar Birçaj i cili gjithashtu kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Spanja. Skema e vrasjes së tij në mes të ditës nga dy personat u komentua shumë nga ekspertët e kriminalisitikës.
Më 3 mars Tauland Beqiraj u vra me breshëri kallashnikovi në mes të ditës.
Më 6 shkurt ekzekutohet me kallashnikov Gentian Qarri, ku pista kryesore e vrasjes së 40-vjeçarit Qarri është për trafikimi i narkotikëve, pasi ishte në burg 11 vite burg në Itali
Top Channel