Çdo ditë në këto galeri nën tokë hyjnë me qindra banorë të bulqizës në kërkim të kromit.

Për ta kromi është buka e fëmijëve, por puna në galeri është e rrezikshme. Eltion Alla, babai i një djali të vogël dje hyri në këto galeri dhe prej andej doli i pa jetë.

I ndjeri kishte ecur  në gjurmët e të atit minator kromi dhe dje ishte duke punuar në nivelin e 18 të një prej galerive AlbChrom për të ndërtuar katrorin hyrës të nivelit të fundit. Por rreth orës 18:30 minuta, një masiv minerali është shkëputur duke e zënë poshtë Eltionin.

Kolegët janë përpjekur ta nxjerrin por fatkeqësisht ai ishte i pajetë. Eltioni kishte vetëm një vit që kishte filluar punë si minator në galerinë e AlbChrom, duke zëvendësuar babain e tij i cili sapo kishte dalë në pension. Alla ishte djali i vetëm i familjes, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin e tij të mitur 2 vjeçar.

Për minatorët e Bulqizës, jetesa është e vështirë. Kushtet e punës në galeritë e kromit u rrezikojnë atyre jetën çdo ditë ndërsa hyjnë dhjetëra metra thellësi në kërkim të mineralit.

Bulqiza e ka lidhur jetën me kromin dhe të pakta janë ato familje që nuk kanë pjesëtarët minatorë. Por Bulqiza është qyteza me numrin më të madh të viktimave në galeri, shumë më tepër janë të gjymtuar në pamundësi për të punuar dhe gjithçka ndodh sepse nga ky mal vetëm kërkohen pasuri, por pak investohet në sigurinë e minatorëve.

Top Channel