Si rezultat i zjarrit të rënë një ditë më parë në fabrikën e tullave në Maminas të Durrësit, mëngjesin e sotëm në QSUT humbi jetën saldatori 57-vjeçar Besnik Bojaku.
Ai po punonte në linjën e re të prodhimit të tullave që nuk ishte vënë ende në funksionim, kur gjithçka u përfshi nga flakët. Në lidhje me ngjarjen policia njoftoi se ka arrestuar përgjegjësin teknik të fabrikës nën akuzën e mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik në punë.
Top Channel tentoi të kontaktojë me përfaqësuesit e fabrikës, por ata u shprehën se janë në zi për punonjësin që humbi jetën. Megjithatë ditën e sotme puna ka vijuar normalisht, në pjesën tjetër të fabrikës.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në godinën, ku ishte ngritur linja e re moderne e prodhimit të tullave.
Marrja e masave kundër zjarrit dhe sigurimit teknik për mbrojtjen e punëtorëve është detyrim ligjor i punëdhënësit, ndërsa barra e zbatimit të këtyre masave që mbetet dhe problemi më i madh në shumë ambjente pune është detyrë funksionale e përgjegjësit teknik.
Hetimet e mëtejshme pritet të hedhin dritë mbi përgjegjësitë konkrete dhe shkakun e zjarrit në fabrikë.
Top Channel