Ashtu siç ishte paralajmëruar shumë javë më parë, David Alaba është transferuar zyrtarisht te Reali i Madridit. Lajmin zyrtar e ka dhënë vetë klubi madrilen, që zbulon se austriaku ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë një pagë prej 12 milionë eurosh neto në sezon.

Futbollisti polivalent ka qenë pjesë e Bayernit të Mynihut për 11 sezone, duke fituar plot 27 trofe me gjigantët gjermanë, por së fundi refuzoi të rinovojë kontratën, pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit në lidhje me pagën.

David Alaba bëhet kështu përforcimi i parë zyrtar i “Los Blancos” për sezonin e ri, me drejtuesit e Realit që mbrohen ndaj një largimi të mundshëm të Sergio Ramos, i cili deri tani ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovim.

Në pritje për të mësuar se cili do të jetë trajneri i ri i klubit madrilen, Alaba pritet të jetë një vlerë e shtuar, pasi mund të aktivizohet si në qendër të mbrojtjes e mesfushës, ashtu edhe në krahun e majtë të prapavijës.

I rritur në klubin e Austrisë së Vjenës, David Alaba ka shkruar historinë me klubin e Bayernit të Mynihut, ku ka luajtur për plot 11 sezone dhe numëron 431 ndeshje e 33 gola të shënuar, ndërsa tani do të provojë të lërë gjurmë edhe në “Santiago Bernabeu”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA