Golat duheshin dhe ata erdhën lumë në ndeshjen e javës së 36 të kategorisë Superiore që pa Teutën të kurorëzohet si mbretëresha e Futbollit shqiptar për këtë vit. Skuadra durrsake u rikthye te suksesi pas 27 vitesh pas një sezoni intensiv dhe të lodhshëm.
Pasi fitoi Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, Teuta këtë të mërkurë bëri realitet ëndrrën më të madhe, atë të fitores së kampionatit, një sukses për të cilin ia vlejti lodhja duke parë edhe rivalitetin e fortë me Vllazninë. Në javën e fundit sytë dhe veshët ishin në Durrës dhe në Shkodër ku të gjithë prisnin një ‘ping pong’ në distancë mes Teutës dhe Vllaznisë për shënimin e golave dhe për një periudhë të mirë kohe ashtu ndodhi.
Në Niko Dovana, skuadra durrsake kishte përballë Apoloninë të cilën e shkatërroi totalisht 6-1, por mendja ishte dhe te Loro Boriçi. Në fakt pas golit të parë të shënuar nga Dejvi Bregu, Vllaznia në Shkodër me penallti shënoi me Markun ndaj Laçit duke shkaktuar emocione të kundërta te tifozeritë e tyre; ankth te durrsakët, entuziazëm te shkodranët. Lorenco Vila qetësoi të tijtë por më pas ishte Apolonia ajo që mendoi të shqetësonte sërish ‘Djemtë e Detit’ teksa shënoi me Mihanën.
Në fillimin e pjesës së dytë Bregu shënoi sërish për të çuar rezultatin në 3-1, por nga Shkodra erdhi lajmi për golin e dytë të Vllaznisë që bëri që Teuta të rriste ritmin në lojë dhe në fakt skuadra e Edi Martinit nuk u ndal më. Duke përfituar nga ndëshkimet me kartona të kuq të lojtarëve Fierakë, Teuta shënoi edhe 3 gola të tjerë me bregun që plotësoi tripletën personale, Arapin dhe Plakun duke iu dhënë goditjen përfundimtare shpresave për titull për Vllazninë që u dorëzua vetëm në fund pas një sezoni të jashtëzakonshëm që zhvilloi dhe që askush nuk e imagjinonte.
Por skuadra e Brdaric e ka edhe një shans për të fituar trofe, finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Java e 36 dha edhe një verdikt tjetër; Bylisi ra në Kategorinë e Parë pasi u mund nga Partizani 4-2. Për Bylisin shanset e mbijetesës ishin të pakta pasi përvecse duhej të fitonte vetë duhej të shpresonte në një rezultat negativ të Kastriotit.
Por ndodhi e kundërta, Bylis humbi dhe Kastrioti mundi Kukësin 2-1 dhe tani kuadra krutane do të luajë playoutin ndërsa Bylis sezonin tjetër do të luajë në Kategorinë e Parë. Ndërsa në ndeshjen tjetër Tirana mundi Skënderbeun 3-1, nje ndeshje që ishte thjesht formalitet për të dy ekipet.
Top Channel