Sulmuesi i zhveshur qëllon ndaj policëve nga shtëpia e rrethuar në Irlandë

26/05/2021 21:04

Dy oficerë policie u qëlluan dje nga një sulmues i zhveshur që hapi zjarr nga dritarja e shtëpisë së tij, gjatë një rrethimi dy-orësh me forcat e rendit.

Oficerët ishin qëlluar në dorë e në këmbë dhe u dërguan në spital gjatë situatës alarmante në kryeqytetin Dublin.

Madje burime të së përditshmes vendase ‘Irish Sun’, thonin se gjatë rrethimit, sulmuesi kishte porositur ushqim ‘delivery’ por shpërndarësi nuk mund ta dorëzonte porosinë e tij prej rrethimit të policisë.

Por bëhet e ditur se sulmuesi “i uritur” më pas doli jashtë totalisht i zhveshur për t’u dorëzuar, ndoshta i udhëzuar kështu nga oficerët për arsye sigurie.

Sulmi i rrallë ndodhi dje pas orës 19.00 në Dublin kur njeriu i tërbuar zuri pusi brenda një shtëpie.

Ai ka qëlluar të paktën tetë herë ndaj oficerëve që u thirrën në skenë.

Negociatorë të policisë kishin komunikuar me të dyshuarin duke u përpjekur ta bindnin të qetësohej, dhe rreth orës 21.30 ai hodhi jashtë shtëpisë dy armët e tij, një pushkë e një pistoletë e doli i zhveshur.

Policia ka të drejtë ta mbajë të dyshuarin tashmë tre ditë duke e marrë në pyetje.

Hetimi për motivet vazhdon.

FOTO GALERI
5/5
Rreth orës 21.30 sulmuesi hodhi jashtë shtëpisë dy armët e tij, një pushkë e një pistoletë, dhe doli i zhveshur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA