Rama flet nga sheshi “Skënderbej”: Nesër del Komiteti me planin e ri për lehtësimin e masave. Ja komenti i tij për vendimin që DASH dha për Berishën

26/05/2021 11:09

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar procesin e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”, nga ku ka thënë se nesër do të dalë Komiteti me planin e ri për lehtësimin e masave.

“Ajo që unë mund të shtoj është se jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë-shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë nuk kemi parashikueshmëri të plotë me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.

Nesër komiteti do dalë me plan të ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon më të lirë turistik. Së shpejti do të dalim me programin e angazhimeve për mandatin e tretë”, tha Rama.

Kur u pyet për vendimin e DASH për të shpallur “non grata” ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, Rama zgjodhi të mos komentonte por u shpreh se është i fokusuar në punë për të hapur një rrugë të re, ndaj kërkon që të shmangen aspektet që i cilëson se e kanë kthyer jetën politike të vendit në telenovelë rraskapitëse.

“Unë jam 100% i fokusuar tek punët. Nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë gjatë fushatës dhe pas fushatës sepse nuk ka kohë për pushim dhe nga ana tjetër jam i vendosur të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe për këtë arsye të shmangen të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer jenë politike të vendit në një telenovelë rraskapitëse.

Për mua, ka më tepër se sa vaksina kryhen gjatë ditës, sa përparojnë katieret e rindërtimit gjatë ditës, ka rëndësi se sa angazhimet tona përmbushen pak nga pak, hap pas hapi me të gjitha vështirësitë dhe ngjarjet e paparashikueshme gjatë ditës edhe mbi të gjitha jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe së shpejti do dalim para shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete në kongresin tonë të 12 qershorit”, tha Rama.

Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi ngritjen e një padie ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken. Ishte Blinken ai që dha njoftimin se ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” në SHBA.

Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”

Top Channel