Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, po vazhdon procesi i vaksinimit të qytetarëve. Në nivel vendi për ditën e sotme janë kryer 1018 vaksinime kundër COVID-19.

Koordinatori i qendrës së testimit në sallën “1Tetori”, Niman Bardhi, përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se në gjithë vendin deri vaksinën kundër COVID-19 e kanë marrë 59 mijë e 509 qytetarë.

“Totali në nivel vendi për sot /1018 vaksinime. Totali në nivel vendi prej 29.03.21 / 59.509 vaksinime”, tha ai.

Ndërsa të premten në Kosovë do të arrijnë dhe 100 mijë vaksina të tjera kundër COVID-19. Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në takimin që pati këtë të mërkurë me kryetarët e Komunave të Kosovës.

Vitia tha se aktualisht tema kryesore mbetet procesi i vaksinimit duke theksuar edhe se janë lehtësuar edhe procedurat për aplikim për vaksinim në platformën e-Kosova por edhe komunat kanë ndihmuar në regjistrimin e të moshuarve për procesin e vaksinimit.

Pas diskutimeve të kryetarëve të komunave, ata u informua se sipas analizës epidemiologjike të muajit te kaluar, rezultatet janë premtuese por respektimi i masave nuk ka alternativë përkundër uljes së rasteve.

Në këtë takim po ashtu u konfirmua edhe se së shpejti do të hiqet ora policore dhe do të lejohen ahengjet me fillim në sezonës së verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët.

“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12 e natës ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, thuhet në njoftimin e Asociacionit./KosovaPress/

Top Channel