Qeveria e Irlandës do të votojë një amendament që nëse kalon, do të sjellë dëbimin e ambasadorit izraelit nga vendi dhe vendosjen e sanksioneve ndaj tel Avivit.
Deri tani qeveria ka mbështetur votën për mocionin parlamentar ku dënohet “aneksimi de facto” i tokës palestineze nga autoritetet izraelite, në atë që përshkruhet si përdorimi i parë i kesaj fraze nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Ministri i jashtëm irlandez Simon Coveney tha dje se mocioni i ngritur nga opozita Sinn Fein, “është një sinjal i qartë për ndjesinë e popullit irlandez ndaj konfliktit të rëndë të Lindjes së Mesme”.
“Masa, ritmet dhe natyra strategjike e veprimeve të Izraelit me zgjerimin e kolonive të reja hebreje në tokat palestineze, na kanë sjellë në një pikë ku duhet të jemi të ndershëm për ate që po ndodh vërtet në terren … ky është një ankesim ‘de facto’,” tha në parlament Coveney, i partisë irlandeze të qendrës së djathtë Fine Gael.
“Kjo nuk është diçka që unë apo ky parlament, e thotë me lehtësi. Ne jemi shteti i parë i BE që po e bëjmë, por reflekton një shqetësim të madh për qëllimin e veprimeve, kursin e tyre e pasojat,” tha ai.
Nëse kalon, amendamenti kërkon dëbimin e ambasadorit të Izraelit në Dublin, vendosjen e sanksioneve ekonomike e politike ndaj Izraelit dhe rrjedhimisht ndërprerjen e marrëdhënieve.
Shumica e vendeve të botës i konsiderojnë ilegale, kolonitë e reja izraelite të ndërtuara në territoret e Palestinës të kapura në vitin 1967, dhe si një pengesë serioze në procesin e paqes me palestinezët.
Coveney, i cili ka përfaqësuar më parë Irlandën në Këshillin e Sigurimit të OKB gjatë debateve të javëve të fundit mbi Izraelin, insistonte duke dënuar sulmet me raketa mbi Izrael nga grupi militant palestinez Hamas.
Mocioni vjen pas ndalimit të 11 ditë luftimesh dhe bombardimi të rëndë të Izraelit mbi qytetin e Gazës ku të paktën 253 palestinezë u vranë, duke përfshirë dhjetra fëmijë.
Shumë mirëprisnin vendimin e Irlandës në rrjetet sociale.
“Irlanda bëhet vendi i parë i BE që njeh aneksimin ‘de facto’ të Palestinës nga Izraeli, në kundërshtim të ligjit ndërkombëtar”, shkruante Ronan Burtenshaw, kryeredaktor i revistës britanike Tribune Magazine. “Një veprim historik për të izoluar një shtet aparteidi, siç ne bëmë dhe në vitet 1980”.
Top Channel