U kap në Karaburun/ Detaje nga gomonia me drogë që po shkonte drejt Italisë: U gjetën 577 kg kanabis, arrestohen tre persona

24/05/2021 08:42

Në gomonen e sekuestruar pasditen e djeshme në Karaburun u gjetën rreth 577 kg lëndë narkotike kanabis, një pjesë në formën e çokollatës.

Policia ka vënë në pranga tre persona pas disa orësh ndjekje nga deti dhe nga toka të gomones, e cila u kap në “Gjirin e Dafinës” pranë Karaburunit. Tre personat që janë arrestuar janë identifikuar si Mandi Begaj, 43 vjeç Engjellush Mukaj, 34 vjeç, Herman Mucaj, 27 vjeç, të cilët dyshohet se do të trafikonin lëndën narkotike drejt Italisë.

Ata tentuan të braktisnin gomonen dhe të largoheshin, por nuk i shpëtuan dot prangave të policisë.

“Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Operacioni i koduar “Karaburuni” u finalizua nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel