Qëndrimi i Bashës pas shpalljes ‘non grata’ të Berishës, Harxhi në Open: Dha deklaratë personale, jo zyrtare

24/05/2021 21:45

Kandidatja për kreun e Partisë Demokratike, Edit Harxhi e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Open në Top Channel ka shprehur opinionin e saj në lidhje me shpalljen ‘non grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe paditjen ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit,  Anthony Blinken.

Ajo është shprehur që Berisha është një lider historik i PD-së dhe se ka dhënë kontributin e tij prej 30 vitesh në parti. Sa i përket vendimit të tij, ajo e ka konsideruar personal që nuk ka lidhje me PD-në, pasi kjo e fundit është krijesë euroatlantike.

Harxhi u shpreh se qëndrimi i Lulzim Bashës pas shpalljes ‘non grata’ të Berishës është personal dhe këtë e tregoi përmes deklaratës së tij e cila duhej të ishte zyrtare.

Abilekaj: Mendoni se Berisha që po ndjek një çështje personale a duhet të largohet nga PD?

Harxhi: Është vendim i zotit Berisha duke marrë parasysh kontributin 30 vjeçar në PD, është zgjedhje e tij personale dhe vendimet e tjera janë çështje e tij personale.

Abilekaj: A ka kosto për PD-në?

Harxhi: Kjo nuk ka kosto për PD, se PD është krijesë euroatlantike. Ky është një moment delikat, por s’do të mundet që PD të jetë një parti jo pro amerikane. Baza e tij është e tillë, ashtu si edhe në themelin e saj është puna e zotit Berisha.

Abilekaj: Po qëndrimi i Bashës?

Harxhi: Është një deklaratë personale se sa një qëndrim zyrtar. Ishte deklaratë evazive nuk qartësonte rolin e Berishës apo SHBA sa i përket PD-së. Po të shikoni edhe veprimet pas deklaratës, që nuk mori pjesë, ishte një pikëpyetje shumë e madhe ne nuk duhet të kemi hatërmbetje apo vendime të tjera për aleatin tonë kryesor.

Abilekaj: Është braktisur Berisha nga PD?

Harxhi: Mendoj që Shehaj nuk ka një të kaluar aq të gjatë në PD dhe memoria është e shkurtër për Berishën. Kemi rolin historik të ish liderit të PD zotit Sali Berisha. Gara jonë është me PD jo me zotin Berisha.  Ka një zemëratë që vjen jo vetëm qëndrimi për 8 vite në opozitë por edhe për drejtuesin aktual i cili nuk ka mbajtur premtime, mos futja në zgjedhjet lokale apo dorëzimi i mandateve. Unë kam qenë bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë që në themelimin e partisë dhe i di punët e tij.

Top Channel