Futja e Sali Berishës në listën e zezë të amerikanëve duket se ka kompleksuar demokratët.

Në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve përfaqësuesi ligjor i opozitës shmangu termin “non grata”, kur denoncoi Tom Doshin dhe Vangjush Dakon si autor të vjedhjes së votave ne Shkodër dhe Durrës.

MARASH LOGU, PËRFAQËSUES LIGJOR I PD NË KQZ: Drejtuesi faktik i fushatës së PS në Durrës ishte ish-kryetari i bashkisë Vangjush Dako i njohur për rekorde të tmerrshme korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar Shtetasi Tom Doshi i njohur dhe i skeduar për raste madhore korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar

ERIDIAN SALIANJI PËRFAQËSUES LIGJOR I PS-SË NË KQZ: Këto janë opinionet e PD që për ne janë në kufijtë e shpifjes. Ato që lexohen këtu nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor.

Për Qarkun Durrës LSI pretendon se e ka humbur mandatin për 136 vota. Në mbështetje të aleatit, Partia Demokratike bëri publike një liste me 300 persona të dyshuar se kanë shitur votën në favor të Partisë Socialiste kundrejt parave.

MARASH LOGU, PËRFAQËSUES LIGJOR I PD NË KQZ: Te shihet lista a kane votuar dhe a janë pjese e administratës pasi kane shitur votën për 100 euro 300 euro.

ILIR RUSMALI ANËTAR I KAS: Ne nuk mund të futemi në pyll dhe të presim çdo drru që ka pylli. Nëse zgjedhësit votojnë apo jo është e dhënë personale sensitive.

LEDIO BRAHO ANËTAR I KAS: Duke qenë se bëhet fjalë për 300 persona dhe mandate ka lëvizur për 150 vota mund të jetë relevante. Nuk po kërkojmë as për kë kanë votuar të bëjmë patronazhistin as të marrim nënshkrimet e tyre.

Vendimmarrja finale si për Durrësin ashtu edhe për Shkodrën mbeti pezull, pasi dy anëtarët Ledio Braho dhe Elvis Cefa kërkuan të administrohet si prove kryqëzimi i te dhënave të pajisjes se identifikimit për të vërtetuar akuzat, ndërsa LSI nuk humbi kohë dhe iu drejtua Kolegjit Zgjedhor me dy padi, për Vlorën dhe Gjirokastrën, ku KAS me herët nuk i hapi rrugë përsëritjes së zgjedhjeve.

Top Channel