Lille fiton titullin pas një dekade, Lyon mbetet jashtë zonës Champions

24/05/2021 09:58

Lille rikthehet në majën e futbollit francez pas plot një dekade, duke fituar titullin kampion për herë të katërt në histori.

Pas një sezoni në kufijtë e perfektes, skuadra e drejtuar nga Christophe Galtier kishte nevojë për një sforco të fundit dhe e kaloi me sukses testin në transfertën ndaj Angers.

Kanadezi Jonathan David zhbllokoi sfidën në minutën e 10’, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë ishte veterani turk Burak Yilmaz që shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur suksesin. Nga ana tjetër Agers rihapi ndeshjen vetëm në minutat shtesë, por koha nuk premtonte për t’u prishur punë miqve.

Me këtë fitore Lille e mbylli kampionatin në krye me 83 pikë, një më tepër se Paris Saint Germain, që sot bëri detyrën duke fituar me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj Brestit, por ky sukses nuk mjaftoi për të bërë rokadën në krye.

Dështon në mënyrë fatale Lyoni, që shpërdoroi avantazhin 2-1 ndaj Nices dhe u mposht 2-3, duke mbetur në vendin e katërt dhe jashtë zonës Champions për sezonin e ardhshëm. Monaco nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Lensit, duke ruajtur vendin e tretë.

Zhgënjen Nantes, që u mposht në shtëpi 1-2 nga Montpellier dhe e mbylli sezonin në vendin e 18, teksa për të siguruar mbijetesën, do të duhet të përballet në Play Out me skuadrën e Toulouses. Siguron një biletë për në Conference League edhe Rennes, që triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Nimes dhe parakaloi Lensin, duke e mbyllur kampionatin në vendin e 6.

Top Channel