“Asnjë koment për Berishën”/ Ambasadori gjerman Zingraf: Jam optimist për çeljen e negociatave për Shqipërinë

24/05/2021 12:27

Ambasadori gjerman Peter Zingraf, ka folur nga Maliqi lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë, duke thënë se projekti në kuadër të Javës së Europës çojnë në arritjen e standardeve të nevojshme.

Ndër të tjera shtoi se shpreson që të nisin sa më shpejt bisedimet për anëtarësim.

“Jemi këtu në kuadër të javës së Europës dhe po vizitojmë projekte të suksesshme. Ky projekt u çel para 3.5 vitesh, Ky projekt u kushtohet qytetarëve por edhe në mbrojtje të mjedisit. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë kontekst.

Ky projekt ka edhe një efekt argëtues sepse duhet që në mendjen e njerëzve të kuptojnë që projektet e tilla shërbejnë.

Unë shpresoj që bisedimet për anëtarësim të nisin sa më shpejt. Ky projekt dhe projekte të tilla çojnë në arritjen e standardeve të nevojshme. Vetë ekspertët gjykojnë se për sa i përket përshtatjes së standardeve të një vendi me ato të Bashkimit Europian, 2/3 e punës do të duhet që të realizohet në nivel lokal dhe vetëm 1/3 në nivel qendror,” u shpreh ambasadori gjerman në Shqipëri, duke nxitur investimet rajonale.

Qeveria federale ka thënë në mënyrë të përsëritur se kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit janë plotësuar tanimë, të njëjtën gjë vlerësoi dhe Komisioni i Bashkimit Europian, unë personalisht jam optimist për çeljen e këtyre negociatave, por duhet pasur mirëkuptim se ky është një proces që kërkon dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare të BE. Ministri i jashtëm federal është optimist se si me Shqipërinë dhe me RMV këto negociata do të nisin së shpejti”, tha Zingraf.

Ndërsa për vendimin e DASH për të shpallur “non grata” ish kryeministrin Sali Berisha, Zingraf tha: “Nuk kam asnjë koment!”

Top Channel