Shqipëria, ekonomi e qëndrueshme/ Vlerësim pozitiv nga kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit

22/05/2021 15:32

Pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, që mori ekonomia shqiptare, fillimisht tërmeti e më pas krizës nga pandemia Covid-19, agjencia prestigjioze, Moody’s ka konfirmuar pozicionin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, duke mbajtur në raportin e fundit vlerësimin aktual në “B1 dhe me perspektivë të qëndrueshme”.

Me gjithë dobësitë e shfaqura dhe përkeqësimit të situatës së përgjithshme ekonomike të vendit, si rrjedhojë edhe e varësisë ndaj sektorit të turizmit, prurjet e të cilit u përgjysmuan një vit më parë, Moody’s në rishikimin e fundit, theksoi se ekonomia shqiptare ishte rezistente ndaj tyre.

Sipas Moody’s sfidat strukturore që përfshijnë çështjen e pronave, informalitetin e lartë në ekonomi, si dhe nivelin e ulët të diversifikimit të eksporteve shqiptare, përbëjnë edhe shqetësimet kryesore për ekonominë e vendit, duke e bërë Shqipërinë të ekspozuar ndaj goditjeve që vijnë nga faktorë të brendshëm e të jashtëm.

Moodys parashikon që rritja ekonomike e vendit do të rikthehet në nivelet e para pandemisë brenda një periudhe afatmesme për t’u zgjeruar me 4.8% në 2021, ndikuar nga flukset e investimeve të huaja direkte, rritja e konsumit si dhe procesi i rindërtimit.

Pas treguesve të përkeqësuar të borxhit publik si rrjedhojë e krizës që një vit më parë arriti në 77.8%, duke tejkaluar edhe vendet e rajonit, agjencia Moody’s vlerëson se me zbehjen e efekteve të pandemisë borxhi do t’i kthehet trendit rënës në vazhdim.

Megjithatë, agjencia vlerëson se detyrimet që lindin nga kontratat e partneritetit publik privat do të vazhdojnë të paraqesin rrezik në rrugën e konsolidimit fiskal të financave të shtetit.

Ndër të tjera, Moody’s thekson në raportin e fundit rëndësinë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave që sipas agjencisë mbetet një element kyç për të bërë të mundur zhvillimin e investimeve të planifikuara për periudhën afatmesme.

Top Channel