Ekzekutohet pas kthimit nga Spanja/ Vlorë, atentatorët e 38 vjeçarit Delon Troqe djegin makinën jashtë qytetit

22/05/2021 00:54
Viktima

Ky është Delon Troqe, 38 vjeçari që u ekzekutua me breshëri plumbash mbrëmjen e së premtes në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një servis pas pallatit të sportit. Në vendngjarje mbërritën edhe familjarë të viktimës.

38 vjeçari u transportua në spital me urgjencë, por për shkak të plagëve të marra nuk mundi të mbijetonte dot. Top Channel ka mësuar se viktima kishte rreth dy javë që ishte kthyer nga Spanja. Sipas informacioneve Troqe ka qenë në burg përpara disa vitesh. Po ashtu, dënim me burg ai ka vuajtur edhe në moshën e adoleshencës.

Delon Troqe kishte në pronësi një servis skafesh në Vlorë, pranë vendit ku edhe u ekzekutua. Ai po ashtu ofronte edhe shërbime me skafe kryesisht gjatë sezonit turistik. Dyshimet paraprake, të ekzekutimit të 38 vjeçarit Troqe janë prishja e pazareve të drogës që ai mund të ketë pasur jashtë vendit tonë.

Vetëm disa minuta pas ngjarjes pranë fshatit Sherishtë në Vlorë, u gjet një automjet tip audi duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas ekzekutimit të Delon Troqes. Brenda automjetit, policia gjeti dy kallashnikovë me të cilët dyshohet se është kryer vrasja. Policia ngriti disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. Në komisariat u shoqëruan disa persona të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e po ashtu janë sekuestruar edhe pamjet filmike, nga ku pritet të dalin detaje që do të ndihmojnë gjatë hetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA