Bayerni i Mynihut ngre lart kupën e kampionit të Bundesligës për herë të nëntë radhazi dhe të 31-tën në histori. Bavarezët, edhe pse ishin shpallur matematikisht kampionë disa javë para fundit të kampionatit, e festuan këtë sukses pas ndeshjes përmbyllëse, të fituar 5-2 përballë Augsburgut.

Rekord historik edhe për Robert Lewandowskin. Sulmuesi polak, me golin e shënuar në limitet e kohës së rregullt, që vulosi shifrat përfundimtare 5-2, zbriti nga froni i golashënuesit më të mire brenda një sezoni një legjendë si Gerd Muller. 32-vjeçari e mbylli këtë edicion të Bundesligës me 41 gola, ndërsa “Toperdo” Muller maksimumi ka mundur të realizojë 40 gola në një sezon të vetëm, pikërisht në 1971-1972. Lewandowski, praktikisht ka fituar edhe Këpucën e Artë të Europës, pasi askush nuk mund t’i kërcënojë këtë trofe prestigjioz individual.

Sa i përket kronikës, Bayerni realizoi katër herë vetëm gjatë pjesës së parë me autorë Gouweleeuw, Gnabry, Kimmich, Coman, ndërsa për miqtë humbi një 11-metërsh Caliguri. Gjatë fraksionit të dytë Augsburgu mundi të ngushtonte diferencën në 4-2 me finalizimet e Hahn dhe Niederlechner, para se Lewandowski të realizonte golin historik që theu rekordin e Gerd Mullerit.

Bie një kategori më poshtë Werder Bremeni, ku luan futbollisti “dardan”, Milot Rashica, pas humbjes 2-4 ndaj Borussias së Mounchengladbachut, ndërsa Kolni, që triumfoi 1-0 me Schalken, luan “play out” me skuadrën e tretë më të mirë të Bundesligës 2. Kujtojmë që më herët kishtë rënë matematikisht në Bundesligën 2 Schalke 04.

Në Champions, përveç Bayernit, shkojnë edhe Leipzigu, Dortmundi dhe Wolfsburgu, kurse Eintrachti i Frankfurtit dhe Bayer Leverkuseni në Europa League. Në kompeticionin e ri europian, Conference League, do të marrë pjesë Union Berlini.

Rezultatet e javës së fundit:

Bayern Munich – Augsburg 5-2

Dortmund – Bayer Leverkusen 3-1

Eintracht Frankfurt – Freiburg 3-1

FC Koln – Schalke 1-0

Hoffenheim – Hertha Berlin 1-1

Stuttgart – Arminia Bielefeld 0-2

Union Berlin – RB Leipzig 2-1

Werder Bremen – B. Monchengladbach 2-4

Wolfsburg – Mainz 2-3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA