Një avion privat rrëzohet në Brazil, humbin jetën në vend dy pilotët dhe dy biznesmenët që ishin në bord
Qindra trupa ushtarake të Belgjikës dhe vendeve fqinje janë duke kërkuar një ushtarak ‘anti-stabiliment’ të armatosur rëndë që është fshehur pas kërcënimeve me vdekje të zyrtarëve shëndetësorë dhe qeveritarë të Belgjikës.
Snajperi me eksperiencë i ushtrisë së Belgjikës, Jurgen Conings, i cili ka luftuar në disa zona konflikti si Afganistan, Irak e Liban, është zhdukur prej të hënës, pasi kishte dërguar letra kërcënuese ndaj disa zyrtarëve të lartë në vend.
E dashura e Conings, Gëendy, ishte ajo që lajmëroi autoritetet për zhdukjen e tij pasi gjeti letrat kërcënuese që kishte lënë, ku thuhej: “Nuk mund të jetoj dot më në një shoqëri ku politikanët dhe virologët po na marrin gjithçka, prandaj po i bashkohem rezistencës dhe nuk do të dorëzohem”.
Ushtaraku i stërvitur ka kërcënuar ministren e mbrojtjes së vendit Ludivine Dedonder, e cila tashmë është marrë nën mbrojtje, duke thënë: “Ju më stërvitët për t’u bërë ky që jam, dhe tani do ta përdor këtë kundër jush”.
Ministri i drejtësisë së vendit Vincent Van Quickenborne, tha: “Ai është përgatitur prej ditësh për këtë veprim, dhe duket se ka qenë pranë objektivit të tij kësaj jave, teksa ka qenë pranë shtëpisë së krye-virologut të vendit Van Ranst”.
E përditshmja De Morgen, shkruante më tej për përmbajtjen e letrave të lëna prej snajperit rebel: “E di se një ditë do të bëhem papritur armik i shtetit. Ata do të më kërkojnë dhe më pas … nuk e di nëse do të vdes apo jo, por do të jem në rrugën time”.
Deri sot (të shtunën) asnjë shenjë e Conings nuk është gjetur, por dhjetra grupe të rrjeteve sociale janë ngritur në mbështetje të tij, mes të tjerave dhe një petizion me titull “Lër Jurgen të jetojë.”
Ministrja e brendshme belg Annelies Verlinden kritikoi simpatinë për të arratisurin. “Njerëzit që e bëjnë atë hero apo personazh Rambo, gabohen rëndë. Ai njeri është i rrezikshëm dhe në një situatë të rrezikshme,” tha ajo.
Kësaj jave për kërkimet e tij ishin mobilizuar 400 trupa ushtarake belge, dhe forca shtesë nga Gjermania e Holanda fqinje, që po përdorim mjete teknologjike nga më të ndryshmet në kërkime. Burri besohet se fshihet në kufirin e përbashkët pyjor të tre vendeve.
Top Channel