Ilir Daja doli këtë të enjte në konferencë për shtyp për të analizuar ndeshjen ndaj kësaj të premte ndaj Vllaznisë, sfidë që për Partizanin mund të rezultojë edhe si një finale titulli. Numri 1 i stolit të kuq u shfaq optimist duke deklaruar se tashmë Partizani e ka vetë në dorë fatin e tij dhe nuk i druhet asnjë aleance ndërkohë që vlerësoi Vllazninë si një rival shumë të fortë.

“Fitorja e fundit me Teutën kishte dy drejtime kryesore: na riktheu në vend të parë dhe arritëm një objektiv, edhe pse nuk kishim vendosur objektiv në fillim të sezonit, që jemi në Europë. Tani kanë ngelur edhe dy finale. Gjendja është e mirë, por nuk do kemi Asanin këtë javë. Do shohim gjendjen e Junior, për të kompozuar më pas formacionin titullar në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Përballë kemi një nga katër ekipet pretendente. Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë, ka kryesuar për tre faza. Gjithashtu ne kemi bërë të njëjtën gjë. Jemi në vend të parë, na duhet ta fitojmë ndeshjen, por e dimë që do të jetë e vështirë, sepse Vllaznia, përveç pikëve që ka grumbulluar, bën një futboll të bukur dhe të hapur”.

“Mendojmë që koeficienti i vështirësisë është i nivelit maksimal, duke llogaritur që janë edhe dy finale në lojë. Nesër nuk duhet të ç’ekuilibrohemi, sepse Vllaznia ndërton një sulm goxha të mirë nga poshtë. Duhet të jemi cinikë, jo si në disa ndeshje të tjera ku nuk i kemi finalizuar rastet e shumta. Duhet të jemi rezultativë përpara portës, pasi çdo minutë që kalon rrit një farë tensioni të panevojshëm, por që do të jetë prezent pasi është një ndeshje finale. Ky është dueli, Partizani ka ardhur deri në këto momente pas fitores në Durrës. Duam të shkojmë te fitorja me Vllazninë. Do fokusohemi te kjo ndeshje.

Peng? Nuk më ngel asgjë peng, përveç faktit që falënderoj futbollistët për sakrificat që kanë bërë. Në start nuk kemi qenë pretendentë për titullin. Deri në këto momente kemi bërë gjithçka mirë. Nëse do të thoja një ‘peng’, do të jetë nëse nuk finalizojmë këto dy ndeshje, por besoj që të gjithë do të bëjmë të pamundurën që të jemi, edhe në një kampionat ku askush nuk na kanë parashikuar si pretendentë, besoj se do jemi pretendentët kryesorë për titullin”.

Frikë nga aleancat? Nuk na duhet të shpërndahemi, e kemi vetë në dorë kampionatin tashmë. Fokusohemi te ndeshja jonë dhe nuk i druhemi asnjë aleance, e kemi në dorë kampionatin.

Mungesa e Asanit? Është golashënuesi jonë kryesor me 9 gola, por edhe të tjerët aty janë, Çinari edhe Junior, kanë shënuar rregullisht i gjithë potenciali i sulmit. Asani, dihet që ka një bagazh shumë të madh teknik. Ajo që ka përmirësuar, sidomos në fazën e katërt, është që i ka shërbyer shumë ekipit edhe në fazën e mbrojtjes, duke qenë lojtar që bën presing lart goxha mirë, bashkë me Çinarin dhe Junior. Do jetë një mungesë shumë e madhe për vijën e sulmit, edhe Junior është me pikëpyetje. Duhet ta menaxhojmë 90 minutëshin me atë kontingjent, që i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm. Deri në këto momente nuk kemi marrë një përgjigje pozitive për Junior. Unë e mbështes këtë gjë, edhe ne edhe Vllaznia janë ekipe që luajnë shumë bukur futboll. Janë dy ekipe që nuk janë nisur si pretendente në start, por janë të dyja prezent për fitimin e titullit. Nuk na duhet loja e bukur nëse nuk merret rezultati. Nëse bëhen të dyja bashkë, do të ishte qershia mbi tortë.

Deklarata e presidentit të Laçit? Unë jam trajner, mund t’ia kishit bërë këtë pyetje presidentit tonë. Nuk duhet të merret një trajner me çfarë tha presidenti i Laçit apo çfarë tha ndonjë president tjetër. Në këto momente, nuk duhet të fokusohemi se çfarë thotë njëri apo tjetri. Ne duhet të bëjmë punën tonë, e kemi në dorë vetë dhe nuk varet se çfarë do të prodhojë ndeshja në Laç.

Tifozët? Futbolli në fund fare luhet për tifozët. Dihet që Partizani ka një nga tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Gjatë gjithë kohës kanë qenë prezentë, edhe pse nuk lejoheshin. Ne e kemi ndjerë afër tifozerinë, sepse në çdo stadium, pavarësisht se nuk kanë qenë brenda stadiumit, kanë qenë suport edhe jashtë stadiumit. Do ishte një suport shumë i madh prania e tyre në stadium. Në këtë moment që ndodhemi, prania e tyre do të ishte si një lojtar i 12-të, pasi do kishim një suport të madh edhe në fushë“, përfundoi trajneri i ekipit kryesues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA