Tatimpaguesit e dy punësuar me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit kanë paguar një vit më parë 502.4 milionë lekë apo rreth 4 milionë euro tatim shtesë për deklarimin vjetor të të ardhurave.

Referuar raportit vjetor të Administratës Tatimore pagesat për këtë detyrim që rëndon prej disa vitesh mbi këtë kategori individësh shënoi rritje në raport me vitin 2019, kur totali i pagesës shtesë arrinte në 258.6 milionë lekë.

Përmes kësaj skeme, individëve iu rriten kostot pasi krahas taksave që duhet të paguajnë veçmas për secilën pagë, duhet të bëjnë plotësimin e deklaratës edhe për totalin e tyre mbi të cilin përllogaritet edhe tatimi shtesë që duhet të paguajnë.

Por, këtë vit duhet që individët të paguajnë edhe më shumë para se vitet e kaluara për deklaratën vjetore të të ardhurave si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore.

Kjo pasi tashmë veç individëve me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit që prej vitesh kanë detyrim për deklarimin vjetor të tyre, listës i janë shtuar edhe kategoria e të dy apo më shumë punësuarve që janë jo pak por më shumë se 88 600 tatimpagues në të gjithë vendin.

Këto individë kanë tashmë detyrimin që të plotësojnë deklaratën individuale të të ardhurave pavarësisht nivelit të tyre, duke llogaritur dy apo më shumë paga që marrin si një e vetme.

30 prilli ishte afati fillestar i vendosur nga Tatimet si data kur duhej të bëhej dorëzimi i deklaratave vjetore si për këtë kategori ashtu edhe për individët që marrin mbi 2 milionë lekë të ardhura në vit.

Por, pas paqartësive që hasën tatimpaguesit qeveria mori vendimin për shtyrje të afatit deri më 30 qershor, duke iu dhënë më shumë kohë për plotësimin e deklaratës për të shmangur edhe gjobat që aplikohen në rast të mosdorëzimin në kohë të saj, vlera e së cilës është 5 mijë lekë të reja.

Top Channel