Qeveri e re, përfaqësues të rinj/ Vjosa Osmani heq të gjithë ambasadorët politikë

20/05/2021 17:00

Me kërkesë të ministrisë së Punëve të jashtme dhe Diasporës në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani liroi nga detyra të gjithë ambasadorët e vendit që ishin të emëruar politikë.

Lajmi u konfirmua për Radion Europa e Lirë nga Zyra për informim e Presidencës së Kosovës. Propozimin, Ministria e jashtme i dërgoi presidentes gjatë kësaj jave. ankesa e parë erdhi nga Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, përmes një postimi në Facebook.

“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e ekzekutivit për largimin e tij në mesin e mandatit “nuk është praktikë dinjitoze në diplomaci”.

Sipas mediave në Kosovë, bëhet fjalë për largimin e 12 ambasadorëve. Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kjo lëvizje e qeverisë praktikisht pezullon politikën e jashtme të vendit, dhe përbën skandalin më të madh të saj. Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, të paktën pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Pjesa tjetër mund të jenë të emëruar politikë.

Top Channel