LSI-PD me tri beteja të humbura/ Pas Gjirokastrës e Beratit, s’ka përsëritje zgjedhjesh edhe në Vlorë

20/05/2021 14:05

Mospërsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës është beteja e tretë e humbur për PD-në dhe LSI-në.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur që të hedhë poshtë kërkesën e PD-së dhe LSI-së për përsëritje zgjedhjesh në qarkun e Vlorës.

Dy subjektet zgjedhore kërkuan përsëritje, pasi sipas tyre fitorja e PS-së më 25 prill u arrit vetëm prej manipulimit e shitje-blerjes së votës.

Sipas PD-së, nga kryqëzimi i të dhënave të pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI) për qarkun Vlorë, e cila u mor nga KAS me kërkesë të Partisë Demokratike, rezultoi se:

Shenjat e gishtërinjve të 23 personave janë përdorur për identifikimin e 60 zgjedhësve. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që 23 persona të kenë votuar 60 herë, ose rreth 3 herë/secili. Në foton e parë me nr.rendor 7 rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy zgjedhësve në dy qarqe të ndryshme: njëri në bashkinë Vlorë dhe tjetri në bashkinë Ura Vajgurore, Berat. Në foton e dytë me nr.rendor 19 rezulton se i njëjti person ka votuar dy herë, një herë në bashkinë Konispol, dhe herën tjetër në bashkinë Sarandë. Po në këtë foto me nr.rendor 21, rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e 12 zgjedhësve, pra potencialisht i njëjti person ka votuar 12 herë.

Vetëm katër prova që KAS ka qenë i detyruar t’i marrë, me kërkesë të PD-së, faktojnë rreth 200 shkelje flagrante të ligjit. Ndërsa, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS kanë refuzuar jo një herë, por 57 herë, të bëjnë transparencë të plotë mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Këto prova janë dëshmi e pakundërshtueshme se vullneti i 1.78 milionë votuesve u diktua nga krimi dhe paligjshmëria. Megjithatë, ne do ta vazhdojmë betejën. Sepse këtë betejë nuk po e bëjmë as për vete, as për anëtarët e KAS, por për qytetarët shqiptarë, të cilët janë viktimat e vërteta e 25 prillit

Edhe kjo mbledhje u përfshi në përplasje mendimesh, ku anëtari i KAS, Ilir Rusmajli dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu  debatuan për votimin e shumëfishtë të pretenduar nga ana e PD-së.

Logu shprehet se 23 persona kanë votuar nga 3 herë, ndërsa anëtari i KAS tha se nuk kanë asnjë provë për këtë duke kërkuar edhe mbylljen e mikrofonit të përfaqësuesit të PD-së.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ nisi rinumërimin e 114 kutive për qarkun e Beratit pas kërkesës së LSI-së, e cila humbi mandatin për 77 vota në këtë qark.

Gjatë mbledhjes, PS mbështeti kërkesën e LSI-së për të hapur kutitë në qarkun e Beratit, ku përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji theksoi se në kuadër të transparencës mbështet hapjen e kutive duke shprehur bindjen se rezultati në këtë qark nuk do të ndryshojë.

Përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kaziaj  u shpreh se ka prova video ku faktohet manipulimi në zgjedhjet e 25 prillit.

Një ditë më parë KAS vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie në Berat dhe Gjirokastër.

Top Channel